Komuna rinis punimet në "Xhorxh Bush", pavarësisht ndalimit nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore

Publikuar më: 28-04-2025 11:47
Komuna e Prishtinës të hënën ka rinisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pavarësisht ndalimit që i është bërë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Prezent në nisjen e punimeve ka qenë kryetari i Prishtinës Përparim Rama, zyrtarë të Inspektoratit Komunal, e zyrtarë të Policisë së Kosovës. Punimet në “Xhorxh Bush”, janë ndaluar dy herë radhazi. Projekti i Komunës që peshon 18.4 milionë euro, nuk është miratuar nga organet e trashëgimisë kulturore. Punimet janë ndaluar dy herë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, përderisa Komunës i është kërkuar që lënda për pajisje me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) të plotësohet. Pika kryesore e mosmiratimit janë edhe ndërtesat e reja që parashihen me projekt. Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës të mërkurën. Të mërkurën janë rikthyer përplasjet politike midis qeverisë lokale dhe asaj qendrore. Rama: E kemi Policinë dhe e çon Inspektoratin te shtëpia Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se punimet në sheshin “Xhorxh Bush” janë duke vazhduar pasi, sipas tij, ato janë brenda kornizave ligjore në çdo aspekt. Ai ka theksuar se nëse Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore tenton ndalimin e tyre, atëherë do të intervenojë Policia. “E kemi Policinë dhe e çon Inspektoratin te shtëpia. Ne punimet do t’i vazhdojmë”, ka thënë ai. VIDEO: Deklarata e Përparim Ramës: Policia: Prezenca në sheshin “Xhorxh Bush” ishte vetëm për asistim të Inspektoratit Policia ka njoftuar se prezenca e zyrtarëve policorë në sheshin “Xhorxh Bush” të hënën ka qenë vetëm për asistim të Inspektoratit të Komunës së Prishtinës. Në reagimin e Policisë thuhet se ky aktivitet nuk ndërlidhet me asistimin e kryerjes së punimeve në këtë zonë. “Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera. Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu