Sport
Skandali Negreira: Real Madridi i dorëzon UEFA-s dosjen voluminoze dhe kërkon sanksione sportive për Barcelonën
Reklamë e Sponsorizuar
Përplasja mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll ka hyrë në një fazë edhe më kritike, pasi Real Madridi i ka dorëzuar zyrtarisht UEFA-s një material prej rreth 50 mijë faqesh, i cili përmban dokumente, prova dhe dëshmi kyçe që lidhen me pagesat e dyshimta të FC Barcelonës ndaj ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Arbitrave, José María Enríquez Negreira.
Sipas informacioneve të publikuara nga e përditshmja AS, drejtuesit e klubit madrilen kërkojnë që rivalët e tyre të përballen me ndëshkumë sportive, duke përfshirë këtu edhe heqjen e trofeve të fituar përgjatë harkut kohor 2001–2018, periudhë kjo e cila është në qendër të hetimeve për rastin Negreira.
Nga ana e saj, shtëpia evropiane e futbollit ka riaktivizuar zyrtarisht procedimet disiplinore ndaj klubit katalanas. UEFA ka konfirmuar pranimin e dosjes së gjerë të përgatitur nga Real Madridi, ndërkohë që inspektorët e etikës dhe disiplinës do të analizojnë në hollësi çdo provë për të hedhur dritë mbi këtë çështje.
Bërthama e këtij skandali consiston në transaksionet financiare që kapin shifrën e rreth 8.4 milionë eurove, të derdhura nga Barcelona në llogaritë e Negreiras gjatë viteve 2001–2018, kohë kur ai mbante postin e lartë në strukturën e arbitrimit spanjoll. Megjithatë, deri më tani nuk është dhënë ende një vendim përfundimtar nga instancat gjyqësore.
Mes masave të mundshme që po diskutohen nga zyrtarët e UEFA-s është edhe skenari i përjashtimit të Barcelonës nga aktivitetet evropiane, nëse organet kompetente vërtetojnë se ka pasur tentativë për të cënuar integritetin e garave. Megjithatë, ky opsion mbetet vetëm pjesë e shqyrtimit procedural dhe jo një vendim zyrtar i miratuar ndaj klubit.
Për momentin, nuk ekziston asnjë vendim i prerë për privimin e titujve apo për ndalimin e pjesëmarrjes së Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Hetimet vijojnë të jenë të hapura, ndërsa klubi katalanas do të ketë hapësirën e plotë ligjore për të mbrojtur qëndrimet dhe argumentet e veta para autoriteteve evropiane.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: