Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Pakënaqësi në Komision: Ganimete Musliu braktis mbledhjen për shkak të Gjykatës Speciale

Redaksia Lajmetereja • 02-10-2026 10:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Pakënaqësi në Komision: Ganimete Musliu braktis mbledhjen për shkak të Gjykatës Speciale
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka braktisur sot mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në shenjë kundërshtimi ndaj rendit të ditës të paraparë për diskutim. Musliu u shpreh se Kuvendi i Kosovës nuk mund të vijojë me agjendën e zakonshme në një kohë kur vëmendja dhe kërkesa kryesore e qytetarëve është orientuar te çështja e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ajo kërkoi që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës të vendoset si urgjencë dhe prioritet absolut i punës parlamentare. “Prandaj, unë e kundërshtoj mbajtjen e një mbledhjeje rutinë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës po kërkojnë diçka tjetër dhe ne jemi këtu për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Musliu. Sipas saj, rreth kësaj teme nuk duhet të ketë kurrfarë përçarjesh apo ndarjesh politike mes ligjvënësve. “Unë e di që ne mund të kemi dallime politike për shumë çështje, por këtu nuk guxojmë të kemi dallime, këtu duhet të jemi bashkë. Nuk ka rëndësi a jemi parti politike të ndryshme, nuk ka rëndësi a jemi nacionalitete të ndryshme, unë konsideroj që për Republikën e Kosovës nuk ka asnjë çështje më prioritare se çështja e Dhomave të Specializuara në Hagë”, shtoi ajo, duke konfirmuar se nuk do ta votojë rendin e ditës dhe as do të marrë pjesë në këtë mbledhje. Në anën tjetër, kryetari i këtij komisioni, Albert Kinolli, bëri të ditur se pret që shumë shpejt procedurat për amendamentimin e këtij projektligji të mbërrijnë në Kuvend. Kinolli theksoi se bazuar në njoftimet e pranuara nga ekzekutivi, ndryshimet ligjore pritet të dërgohen së shpejti para deputetëve. “Sipas informacioneve që i kemi nga kryeministri, ne urojmë dhe shpresojmë që shumë shpejt amendamentimi i ligjit, i projektligjit për Gjykatën Speciale do të vijë në Kuvend, dhe urojmë më të mirën për luftëtarët e UÇK-së, të cilët padrejtësisht gjenden të gjykuar në Hagë. Uroj që ata çlirimtarë sa më shpejt të kthehen në shtetin tonë, në tokën e tyre, ku kanë dhënë kontribut për këtë liri dhe pavarësi, dhe po ashtu t’u bashkohen sa më shpejt familjeve të tyre”, u shpreh Kinolli. Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, konsideroi se kjo çështje nuk duhet të shërbejë si pengesë për mbarëvajtjen e punëve në këtë komision, duke kujtuar se kompetenca ekskluzive për trajtimin e atij ligji i takon Komisionit për Legjislacion. “Po mendoj që kjo nuk është çështje që duhet ta pengojë funksionimin e komisioneve, e aq më pak funksionimin e këtij komisioni parlamentar që s’ka të bëjë asgjë me trajtimin e këtij ligji, sepse është Komisioni për Legjislacion ai i cili ekskluzivisht do të merret me ligjin përkatës. Prandaj s’mendoj që duhet të pengohemi prej protestimeve ose kërkesave të tilla të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, sepse ne jemi qartë cila është fushëveprimtaria e këtij komisioni, prandaj duhet të ecim përpara dhe po shpresoj shumë që do të vazhdojmë të ecim përpara, sepse është fushëveprimtari e gjerë, ka një numër të konsiderueshëm të institucioneve të cilat pikërisht mbikëqyren prej këtij komisioni. Prandaj s’duhet asnjëherë të lejojmë që të pengohet puna e komisionit me kërkesa të tilla të cilat trajtohen prej një komisioni krejt tjetër, ndryshe prej tonit”, përfundoi Hyseni.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar