Sport
Gjendja e Arijanet Muricit shqetëson Sassuolon para sfidës ndaj Milanit
Reklamë e Sponsorizuar
Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric, vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes te skuadra e Sassuolos, e cila po pret me ankth rikuperimin e tij të plotë para duelit të radhës në kampionatin italian.
Guardiani dardan pësoi një dëmtim në minutën e 65-të të sfidës mes Kosovës dhe Austrisë, e cila u mbyll me humbjen 3-1 për Dardanët, ndërsa gjendja e tij fizike po përcillet në vazhdimësi nga stafi mjekësor i Përfaqësueses.
Mediat pranë klubit italian raportojnë se portieri kosovar nuk ka arritur ende të shërohet plotësisht, pavarësisht se nuk përjashtohet tërësisht mundësia e përfshirjes së tij në ndeshjet e ardhshme.
Për situatën e gardianit kishte folur edhe selektori i Kosovës, Franco Foda, para takimit kundër Izraelit, duke shpjeguar se lojtari kishte marrë një goditje ndaj austriakëve dhe se nuk pritej të luante kundër izraelitëve, ndërsa situata do të vlerësohej hap pas hapi.
Pas mungesës së konfirmuar në ndeshjen ndaj Izraelit, tashmë fokusi i opinionit sportiv është zhvendosur te rinisja e ndeshjeve kampionale dhe situata e lojtarit në Itali.
Sassuolo do të presë Milanin këtë të diel, më 11 tetor, me fillim nga ora 18:00, por paraqitja e Muricit në këtë përballje mbetet ende në pikëpyetje të madhe.
Trajneri Alberto Aquilani po e monitoron nga afër ecurinë e dëmtimit dhe, nëse “gardiani” kryesor nuk ja del të rikuperohet në kohë, vendin e tij mes shtyllave pritet ta zërë Turati.
Për klubin nga Serie A, prania e Muricit do të përbënte një shtysë të rëndësishme para një ndeshjeje kaq të ndërlikuar si ajo kundër kuqezinjve, teksa orët në vijim pritet të hedhin dritë përfundimtare mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: