Aktuale
Filipçe: Qytetarët po varfërohen çdo ditë, ndërsa pushteti merret me histori
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, gjatë një paraqitjeje në televizionin Sitel, ka deklaruar se vëmendja kryesore e institucioneve duhet të përqendrohet te përmirësimi i jetesës dhe mbijetesa e qytetarëve, e jo te temat që i përkasin të kaluarës.
"Do të më interesonte pak më shumë shteti dhe standardi. Dhe ndërsa po diskutojmë për reliket e Car Samuilit nga një mijë e gjysmë vjet më parë, këtu qytetari po zhytet në varfëri", u shpreh ndër të tjera kreu i opozitës socialdemokrate.
Sipas tij, popullata po përballet me sfida të mëdha ekzistenciale, pasi të ardhurat mujore nuk mjaftojnë për të mbuluar nevojat elementare të familjeve. Ai shtoi se çmimet e ushqimeve në vend kanë kaluar edhe ato në Gjermani, ndërkohë që fuqia blerëse e qytetarëve mbetet në nivele tejet të ulëta.
"Evropa ka ecur përpara. Njerëzit po flasin për standarde, për teknologji, për progres", theksoi Filipçe, duke shtuar se një ekzekutiv i përgjegjshëm duhet të kontribuojë në fqinjësi të mirë dhe në ngritjen e mirëqenies sociale.
Duke u ndalur te sektori i bujqësisë, ai bëri të ditur se gjatë bashkëbisedimeve në terren me blegtorët, vreshtarët, prodhuesit e orizit, mollëve dhe qumështit, ka hasur në shqetësime të mëdha për shkak të çmimeve të ulëta të blerjes, zvogëlimit të subvencioneve dhe shpenzimeve të larta të prodhimit.
"Njerëzit morën kredi këtë vit, nuk kanë asnjë mënyrë për t'i shlyer ato. Ata janë në prag të varfërisë. Dhe Mickoski tani po sillet si një patriot i madh", u shpreh Filipçe.
Në fund, ai paralajmëroi rrezikun e braktisjes së prodhimit bujqësor për shkak të mungesës së mjeteve financiare dhe i bëri thirrje shumicës në Kuvend që t'i japë dritën jeshile projektligjit të propozuar nga LSDM-ja, i cili parasheh ndihmë financiare shtesë përmes subvencioneve për çdo kilogram prodhim dhe për çdo hektar tokë të punueshme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: