Qytetari e gjen kuletën me 142 euro e 10 franga, bëhet “burrë i mirë” dhe e dorëzon në Polici

Publikuar më: 25-04-2025 20:32

Qytetari nga fshati Petrovë ka dorëzuar në polici një portofol të gjetur që përmbante para dhe dokumente personale. Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 15:50, qytetari Xh. Rexhaj, 47 vjeç, ka paraqitur portofolin në stacionin policor të Shtimes, duke deklaruar se e kishte gjetur pranë urës në rrugën “Përparim Boshnjaku”. Në prani të tij dhe të zyrtarëve policorë, është bërë hapja e portofolit, ku u konstatua se brenda ndodheshin 142 euro e 33 cent, 10 franga zvicerane dhe dokumente personale. Pas verifikimit të përmbajtjes, policia ka identifikuar pronaren e portofolit, L.B. nga Shtimja, e cila u kontaktua menjëherë dhe u paraqit në stacionin policor. Portofoli, së bashku me të gjitha dokumentet dhe mjetet monetare, iu kthyen asaj me procesverbal zyrtar. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka vlerësuar lartë këtë veprim, duke shprehur mirënjohje publike për qytetarin Xh. Rexhaj.

Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu