Politikë
Tahiri ashpër ndaj mazhorancës: Mungon vullneti politik për zgjedhjen e presidentit
Reklamë e Sponsorizuar
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se në skenën politike mungojnë serioziteti dhe vullneti i duhur për të arritur te zgjedhja e presidentit të vendit.
Këto komente ai i bëri pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se pesha kryesore dhe përgjegjësia institucionale për këtë proces i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti kryesor në pushtet.
“Vonesa që ka ndodhur deri tani me moskonstituimin e institucioneve dhe zgjedhjeve të njëpasnjëshme nuk janë në adresën tonë në Aleancë. Janë në adresën politike dhe përgjegjësive të partive që e bëjnë shumicën. Ne do të kontribuojmë. Për neve është e rëndësishme një pozicion i Kuvendit me këtë çka po ndodh në Hagë. Sot kontribuuam në Kryesi që komisionet të jenë funksionale dhe deklarata të jetë e përbashkët dhe unifikuese. Nuk ka seriozitet e as vullnet politik me bërë një president, pasi po të kishte, as kryeministri dhe as liderët e partive nuk kishin fjetur duke munduar me ia dhënë Kosovës një zgjidhje dhe mos me u bërë horë me shku çdo tre muaj në zgjedhje. Fakti që një kryetar i një partie që është edhe kryeministër rrinë një javë ditë në Nju Jork dhe nuk mblidhet një javë për çka ka ndodhur në Hagë tregon papërgjegjësi totale”, u shpreh ai.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, deputeti Tahiri bëri të afrur edhe mbështetjen e hapur të partisë që përfaqëson ndaj ndryshimeve ligjore që lidhen me Gjykatën Speciale.
“I dhashë mbështetje Grupit Parlamentar të PDK-së në nismën e tyre për ligjin që tashmë është në Qeveri. Aleanca, çfarëdo iniciative që do të sjellë, do ta ndihmojë drejtësinë dhe kthimin e çlirimtarëve, do ta mbështesë”, përfundoi Tahiri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: