Sport
Dita e Forcës: Ministri Maqedonci dekoron gjenerallejtënant Bashkim Jasharin me medaljen “Shërbim i Shquar”
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka ndarë Medaljen “Shërbim i Shquar” për Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Ky vlerësim u theksua si një mirënjohje e lartë për angazhimin dhe përkushtimin e treguar në ruajtjen e sovranitetit, mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kjo ceremoni solemne u organizua në kuadër të shënimit të Ditës së Forcës, ndërsa vetë ministri Maqedonci e bëri publike ndarjen e kësaj distinktive përmes një njoftimi zyrtar ku u ndal gjerësisht te biografia dhe sakrifica e komandantit.
Në mesazhin e tij, kreu i Mbrojtjes evokoi kujtimet nga rezistenca epike e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz, ku Bashkim Jashari ishte ndër të mbijetuarit e familjes Jashari, duke luftuar krah Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe heroit Hamëz Jashari. Më pas, rrugëtimi i tij vazhdoi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në triumfin e qershorit 1999.
Pas përfundimit të luftës, gjeneral Jashari vijoi kontributin e tij në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, duke mbajtur fillimisht pozitën e zëvendëskomandantit dhe më vonë atë të komandantit të Zonës së Parë Mbrojtëse, kujtoi Maqedonci.
Me themelimin e FSK-së, Jashari mori detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm, duke dhënë një impuls të rëndësishëm në fazat e zhvillimit dhe të tranzicionit të kësaj force, për t'u emëruar nëntorin e vitit 2021 në krye të komandës së FSK-së.
Ministri vlerësoi se gjatë periudhës pesëvjeçare në këtë post drejtues, gjenerallejtënant Jashari ka udhëhequr procese vendimtare me peshë historike për fuqizimin, ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe transformimin e gjithanshëm të FSK-së, duke arritur një ndërveprueshmëri të lartë me ushtritë e vendeve aleate.
Në fund, u vu në dukje edhe roli kyç i Jasharit në forcimin dhe zgjerimin e partneritetit strategjik të Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me theks të veçantë në bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: