Politikë
Rama: BE-ja t’i ulë vendet kandidate në tryezë
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot nga Brukseli se “Bashkimi Europian duhet të marrë kurajën që të hedhë një hap shumë të rëndësishëm përpara duke i ulur të gjitha vendet kandidate përreth tryezës, pa ndryshuar procesin bazuar në meritë për secilin prej vendeve, por duke përçuar një sinjal shumë të fortë nga njëra anë për ne dhe nga ana tjetër për të gjithë botën”.
Në një konferencë për mediet, në prag të takimit të liderëve në kuadër të Samitit Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor, ku në fokus janë partneriteti strategjik, procesi i zgjerimit dhe përshpejtimi i integrimit europian të vendeve të rajonit, Rama tha se “samiti përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për vendet kandidate, por edhe për shtetet anëtare të BE-së”.
“Sigurisht që ky samit vjetor është momenti kulmor i vitit për të gjitha vendet kandidate. Ka rëndësinë e vet për shtetet anëtare, sepse është momenti i një bashkëbisedimi të hapur e shumë konstruktiv”, deklaroi Rama.
Rama tha se samiti është gjithashtu një mundësi për të ballafaquar qëndrimet dhe idetë për të ardhmen.
“Po kështu është edhe momenti i ballafaqimit të ndjesive të ndryshme gjatë vitit dhe ideve për të ardhmen. Për ne është absolutisht e rëndësishme që jemi këtu në këtë ngjarje vjetore dhe pikërisht në këtë samit të këtij viti besoj se ka një arsye mjaft të mirë për të nxitur më shumë integrim”, u shpreh Kryeministri.
I pyetur nëse propozimi gjerman ishte pjesë e diskutimeve të samitit, Rama konfirmoi se është pjesë e tyre, por theksoi nevojën për një kornizë më të gjerë.
“Propozimi gjerman është pjesë e kësaj, por besoj që kjo ide apo të tjera kanë nevojë për një kornizë më të gjerë, që është saktësisht ajo për të cilën kam folur e kam avokatuar përgjatë gjithë kohës për të gjithë Bashkimin Europian e të gjitha vendet kandidate përreth tryezës”, theksoi Rama.
Sa i përket numrit të kapitujve që Shqipëria synon të përmbyllë deri në fund të këtij viti, Rama tha se puna po vijon intensivisht në bashkëpunim me Komisionin Europian.
“Ne po punojmë shumë fort çdo ditë me komisionin dhe të shohim aritmetikën, por me sa di unë jemi në rrugën e duhur sipas planit. Nga ana tjetër nuk është punë vetëm me një kah, është një punë me dy kahe. Për disa për një pjesë të punës presim ende që Komisioni të çelë dritën jeshile, pasi siç e dinë të gjithë ata të përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet gjithnjë të miratojë më parë tekstin që e kemi përgatitur tashmë”, tha Rama.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: