Aktuale
Shtatzënia dhe kafeja, sa filxhanë mund të pini në ditë pa rrezikuar foshnjën?
Reklamë e Sponsorizuar
Gratë shtatzëna që pëlqejnë të pinë kafe mund të jenë të qeta: ato mund të vazhdojnë të konsumojnë filxhanët e tyre të kafesë.
Kafeina kalon përmes placentës dhe arrin te foshnja juaj, e cila ende nuk është në gjendje ta metabolizojë vetë këtë substancë. Megjithatë, konsumimi i sasive të moderuara të kafeinës nuk përbën problem për fëmijën e palindur, thotë rrjeti gjerman "Gesund ins Leben”, duke iu referuar studimeve shkencore.
Por sa është një sasi "e moderuar”? Sipas këtij rrjeti, gjatë shtatzënisë lejohet konsumimi i deri në 200 miligramëve kafeinë në ditë.
Kjo sasi mund të përfshijë:
Dy filxhanë kafeje të filtruar (nga 200 mililitra secili), ose
Dy filxhanë ekspres (nga 60 mililitra secili), ose
Katër filxhanë çaj të zi (nga 200 mililitra secili).
Nëse jeni shtatzënë dhe po përpiqeni të llogaritni sasinë e kafeinës që konsumoni, mbani parasysh se kjo substancë stimuluese nuk gjendet vetëm në kafe dhe çaj. Ajo gjendet gjithashtu edhe në çokollatë, veçanërisht në llojet që kanë përmbajtje të lartë kakaoje.
Gjysmë tabele çokollate të zezë (50 gramë) përmban mesatarisht 25 miligramë kafeinë, ndërsa e njëjta sasi çokollate me qumësht përmban 10 miligramë.
Është më mirë të shmangni pijet energjike dhe ujin tonik
Sa u përket pijeve energjike, gratë shtatzëna këshillohen t’i shmangin ato, pasi jo vetëm që kanë përmbajtje të lartë kafeine, por edhe ndërveprimet ndërmjet përbërësve të zakonshëm të tyre, si taurina dhe inozitoli, nuk janë sqaruar plotësisht.
Specialistët thonë se gratë shtatzëna duhet të shmangin gjithashtu ujin tonik dhe pijen „Bitter Lemon”. Këto pije nuk përmbajnë kafeinë, por përmbajnë kininë, një substancë që përdoret si aromatizues me shije të hidhur.
Kjo mund të ndikojë te foshnja juaj, thotë Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Rrezikut (BfR). Instituti përmend një rast kur një grua shtatzënë kishte konsumuar më shumë se një litër ujë tonik çdo ditë. Pak pas lindjes, foshnja e saj shfaqi dridhje nervore dhe kinina u zbulua gjithashtu në urinën e foshnjës.
Sipas mjekëve, konsumimi i herëpashershëm i pijeve kola gjatë shtatzënisë është i pranueshëm. Një kanaçe prej 330 mililitrash përmban rreth 35 miligramë kafeinë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: