Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Delegacioni i UEFA-s në Kosovë, zhvillimi i infrastrukturës së futbollit në fokus të vizitës

Redaksia Lajmetereja • 24-11-2026 17:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe kryetari i Komitetit për Stadiume dhe Siguri, Petr Fousek, si dhe drejtori i Programit HatTrick dhe i Zhvillimit të Federatave Kombëtare në UEFA, Thierry Favre, kanë qëndruar për një vizitë dyditore në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet UEFA-s dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i UEFA-s, i shoqëruar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, është pritur në takim nga ministri i Sportit, Blerim Gashani, ku në fokus të diskutimeve ishin zhvillimi i infrastrukturës së futbollit, investimet strategjike dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për avancimin e mëtejshëm të futbollit kosovar. Ministri Gashani falënderoi UEFA-n për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke e cilësuar rrugëtimin dhjetëvjeçar të futbollit kosovar në familjen evropiane të futbollit si të jashtëzakonshëm dhe shumë produktiv. Ai gjithashtu vlerësoi punën e FFK-së nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, duke shprehur optimizëm për të ardhmen e futbollit në vend. Ministri Gashani tha se krahas vazhdimit të punëve në stadiumet ku po punohet aktualisht, shumë shpejt do të dëgjohet lajmi për fillimin e ndërtimit të stadiumit nacional. Ndërkaq, Petr Fousek theksoi se qëllimi i kësaj vizite është të rikonfirmojë mbështetjen e UEFA-s për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe të vlerësojë punën e vazhdueshme zhvillimore që po bëhet nën udhëheqjen e presidentit Ademi. Ai nënvizoi besimin e UEFA-s në punën dhe vizionin zhvillimor të FFK-së, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e mbështetjes së institucioneve shtetërore, veçanërisht në realizimin e projekteve infrastrukturore, si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit. Nga ana tjetër, Thierry Favre u shpreh se rikthimi në Kosovë ka gjithmonë një domethënie të veçantë për të, duke qenë pjesë e rrugëtimit të futbollit kosovar në UEFA që nga dita e parë. Ai vlerësoi progresin e arritur ndër vite, duke veçuar Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali si një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme zhvillimore në Kosovë. Pas takimit me ministrin Gashani, delegacioni i UEFA-s, i shoqëruar nga presidenti Ademi, vizitoi Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku u njoh nga afër me investimet e realizuara, kapacitetet infrastrukturore dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të këtij kompleksi. Kampi Nacional përbën një nga investimet më strategjike të FFK-së, me rëndësi të veçantë për përgatitjen e ekipeve kombëtare, zhvillimin e talenteve të reja dhe ngritjen e standardeve profesionale të futbollit në vend. Në kuadër të qëndrimit të tyre në Kosovë, përfaqësuesit e lartë të UEFA-s vizituan edhe stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku u njohën nga afër me gjendjen aktuale të infrastrukturës, kushtet dhe kapacitetet e stadiumit që mirëpret ndeshjet ndërkombëtare të Kombëtares së Kosovës dhe klubeve në garat evropiane. Ndërkohë, vizitën e tyre e përmbyllën me një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Në fokus të diskutimeve ishte ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytet, i cili u vlerësua si një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit dhe avancimin e infrastrukturës sportive në vend. Gjatë takimit u diskutua edhe për potencialin e Prishtinës që, në një të ardhme të afërt, të jetë mikpritëse e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të futbollit, përfshirë edhe finalet e garave të UEFA-s. Në këtë drejtim, ndërtimi i një stadiumi modern, që përmbush standardet më të larta të UEFA-s, do të krijonte mundësi të reja për pozicionimin e kryeqytetit dhe të Kosovës në hartën e organizimeve të rëndësishme të futbollit evropian. Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit ndërmjet FFK-së, Komunës së Prishtinës dhe UEFA-s për realizimin e këtij projekti strategjik.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar