Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Prapaskenat e sulmit kibernetik në BE: Dyshimet bien mbi një rrjet hakerësh të lidhur me Pekinin

Redaksia Lajmetereja • 23-11-2026 12:43
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Prapaskenat e sulmit kibernetik në BE: Dyshimet bien mbi një rrjet hakerësh të lidhur me Pekinin
Komisioni Evropian dyshon se një sulm i përmasave të gjera kibernetike, i cili vazhdon të përhapet në rrjetin e tij digjital, është orkestruar nga grupe hakerësh që mbështeten nga Pekini, sipas informacioneve nga dy burime të brendshme të njohura me hetimet. Brenda institucionit evropian po qarkullon emri i koduar “Panda” për të identifikuar autorët e mundshëm. Në zhargonin e sigurisë kibernetike, përdorimi i emrave të kafshëve shërben për të lidhur në mënyrë jozyrtare aktorët e sulmeve me shtetet që i financojnë ato, në këtë rast konkret, Kinën. Sistemi i teknologjisë së informacionit në Komision dalloi praninë e një elementi keqdashës brenda rrjeteve të veta më 22 tetor. Edhe pse ka kaluar një muaj nga nisja e mësymjes, ekzekutivi i BE-së nuk ka arritur ta neutralizojë plotësisht shkeljen, duke e detyruar atë që të shtunën të mbyllë përkohësisht faqen e internetit të Akademisë së BE-së. Kjo akademi funksionon si një hapësirë digjitale ku të rinjtë përfitojnë trajnime profesionale dhe edukim të specializuar. Në portalin zyrtar të Akademisë së BE-së theksohet se hetimet mbi incidentin vijojnë ende. Aty sqarohet se qasja e përgjithshme është ndërprerë dhe po ndërmerren hapa konkretë për të frenuar, zbutur dhe minimizuar dëmet, përfshirë aplikimin e masave mbrojtëse, zbuluese dhe korrigjuese. Deri më tani, Komisioni ka vërtetuar vetëm një rrjedhje të të dhënave personale, ku përfshihen emrat dhe adresat elektronike, ndërkohë që u ka bërë thirrje përdoruesve të tregojnë kujdes nga rreziqet e mundshme si fushatat e mashtrimit “phishing” që mund të shfrytëzojnë këto informacione. Ky zhvillim përbën dëmin e parë të madh të konfirmuar nga ngjarja. Ekspertët e teknologjisë në BE nuk kanë gjetur prova për vjedhje të të dhënave të punonjësve në sisteme të tjera, ndonëse disa aplikacione të brendshme u hoqën nga funksioni si masë sigurie dhe vazhdojnë të mbyllura. Sipas analizave paraprake të rreziqeve, hakerët e lidhur me Kinën nuk kishin në shënjestër individë apo sisteme të caktuara, pasi një qasje e tillë do të kërkonte një sulm më diskret. Qëllimi i tyre duke se ka qenë testimi në shkallë të gjerë i dobësive në infrastrukturën e Komisionit. Fakti që dyshimet drejtohen nga shërbimet e sigurisë kineze lidhet me nivelin e lartë të sofistikimit të sulmit dhe përdorimin e softuerit ARTEX, një mjet i krijuar në Kinë që mbështetet te inteligjenca artificiale për të evidentuar mangësitë e sistemeve që më pas shfrytëzohen nga sulmuesit. Kompanitë e njohura të sigurisë digjitale, si Microsoft dhe CrowdStrike, ua kanë atribuar grupeve kineze operacionet Storm-0940 dhe Panda Vapor, të cilat përdorin ARTEX për fushata globale spiunazhi me inteligjencë artificiale që prekin qindra organizata anembanë botës. Gjatë këtij viti, Komisioni është përballur edhe me dy sulme të tjera kibernetike: njërin në infrastrukturën cloud që mban faqen Europa.eu dhe tjetrin në sistemet e tij celulare gjatë muajit janar. Edhe këto dy raste vlerësohen se vijnë nga e njëjta fushë e rreziqeve kibernetike kineze, megjithëse nga grupe të ndryshme, dhe asnjëherë nuk janë marrë përsipër zyrtarisht. Nga ana e saj, qeveria në Pekin ka mohuar vazhdimisht çdo lloj përfshirjeje, financimi apo mbështetjeje ndaj grupeve të hakerëve që akuzohen për sulme ndaj institucioneve dhe qeverive të huaja. Që kur lajmi u bë publik gjatë javës së kaluar, sindikata kryesore e punonjësve të Komisionit ka ngritur zërin kundër mënyrës se a u menaxhua situata, duke kritikuar sidomos faktin se nëpunësit civilë u njohën me ngjarjen përmes mediave. Kjo kritikë u kundërshtua nga një zyrtar i lartë i Komisionit, i cili sqaroi se njoftimet publike nuk parashikohen në rrethana të tilla, pasi një veprim i tillë do t'i sinjalizonte autorit keqdashës se masat e sigurisë janë aktivizuar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar