Politikë
Skandali me këngën nacionaliste në Bruksel, LDK kërkon llogari nga Marta Kos dhe institucionet e BE-së
Reklamë e Sponsorizuar
Institucionet e Bashkimit Evropian duhet të ofrojnë shpjegime me shkrim dhe të kërkojnë falje publike për lënien anësh të Kosovës nga Forumi i Zgjerimit në Bruksel, si dhe për interpretimin e një kënge me prapavijë nacionaliste gjatë kësaj ngjarjeje. Ky ishte qëndrimi i prerë i shefes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ajo bëri të ditur se kjo çështje është ngritur zyrtarisht në kuadër të Komisionit për Integrime Evropiane, ku janë kërkuar llogari nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në vend. Lushaku-Sadriu njoftoi se i ka drejtuar tri kërkesa të veçanta komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, të cilat ndërlidhen me përzgjedhjen e diskutueshme të këngës, mungesën e Kosovës në samit dhe kriteret e përzgjedhjes së shteteve pjesëmarrëse.
Ndërkohë, sa i përket punës legjislative, ajo bëri me dije se seanca e re e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet të enjten, ndërsa pyetjet parlamentare të deputetëve pritet të shqyrtohen në një seancë të posaçme që mund të mbahet të premten.
Dukefolur në detaje për zhvillimet, Lushaku-Sadriu theksoi: „Miratuam një rresht kërkesash, por edhe miratuam agjendën për seancën e së enjtes. Njëkohësisht morëm edhe një vendim që pyetjet parlamentare të mbledhura nga shumë deputetë të adresohen në një seancë të veçantë, që potencialisht mund të jetë të premten. Ndërkohë që unë desha t'ju njoftoj po ashtu që sot kemi mbajtur një takim në kuadër të Komisionit për Integrime Evropiane, ku kemi ftuar kryesuesin ose udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, nga i cili i kemi adresuar një kërkesë të qartë, një sqarim me shkrim dhe kërkimfalje nga institucionet e Bashkimit Evropian për mospjesëmarrjen e institucioneve të Kosovës në forumin e zgjerimit. Një incident, në fakt, edhe për mospjesëmarrje edhe sa i përket këngës me motive nacionaliste, e që është komplet në kundërshtim me qëndrimet dhe synimin e Bashkimit Evropian, s'na dërgoi një sqarim me shkrim nga nivelet më të larta politike. I kam adresuar 3 kërkesa, ndaj komisioneres Marta Kos për sqarim. Edhe për mënyrën se si është selektuar ajo këngë, por edhe për mospjesëmarrjen edhe për zgjedhjen e shteteve në forumin e zgjerimit“.
Për më tepër, deputetja e LDK-së tregoi se i ka bërë thirrje kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme, David McAllister, që ta thërrasë në përgjegjësi komisioneren Marta Kos për këto zhvillime të papranueshme. Ajo po ashtu ka kërkuar angazhimin e raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, në këtë proces.
Duke përmbyllur deklaratën e saj, Lushaku-Sadriu përsëriti se qytetarët e Kosovës janë ndër më proevropianët në rajon dhe nuk meritojnë të zhgënjehen në këtë rrugëtim. Ajo kërkoi transparencë institucionale për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen dhe për të garantuar se perspektiva evropiane e Kosovës mbetet e palëkundur, konform dokumenteve strategjike të BE-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: