Botë
Incidenti nacionalist në Bruksel: Lushaku-Sadriu kërkon llogari dhe ndjese zyrtare nga Brukseli
Reklamë e Sponsorizuar
Kryesuesja e Komisionit për Integrim Evropian, Jehona Lushaku-Sadriu, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ku i ka kërkuar zyrtarisht zyrës së BE-së që të kërkojë falje për incidentin e shënuar gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit në Bruksel. Gjatë këtij takimi, ajo ka ngritur gjithashtu shqetësimin dhe pakënaqësinë lidhur me anashkalimin dhe mosftesën e udhëheqësve institucionalë të vendit në këtë ngjarje të rëndësishme.
Duke folur para anëtarëve të komisionit, Lushaku-Sadriu njoftoi se lidhur me këtë ngjarje të papranueshme i ka drejtuar tashmë një letër zyrtare edhe komisioneres Marta Kos, si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Bashkimit Evropian, duke kërkuar sqarime dhe masa konkrete.
“Jam e habitur nga një incident që ka ndodhur javën e kaluar në Bruksel, në Forumin për Zgjerim. Kosova është një vend shumë pro-evropian. Ishte edhe zhgënjyese për mungesën e përfaqësimit institucional në këtë forum dhe ashtu siç e dimë të gjithë, është një forum i cili ka shumë qëllime, të qoj mesazhe pajtuese dhe tek e fundi misioni i BE-së është të ndihmoj vendet ti tejkalojnë këto ndahësi. Më vjen keq, por duhet ta shpreh zhgënjimin tim, ka një javë që po presim një lloj kërkim falje institucionale e formale ndaj Republikës, për të sqaruar këtë incident, për të siguruar që janë marrë masa. Unë, si kryesuese, kam dërguar letër te Marta Kos dhe përfaqësuesit e tjerë të BE-së”, deklaroi ajo gjatë punimeve të Komisionit për Integrim Evropian.
Ndryshe, mbrëmja e 15 nëntorit, e cila shënoi edhe hapjen zyrtare të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në kryeqytetin belg, u shndërrua në një skandal diplomatik mes autoriteteve të Kosovës dhe bllokut evropian për shkak të zhvillimeve gjatë programit artistik.
Gjatë këtij organizimi muzikor, në prani të zyrtarëve të lartë, u interpretua melodia e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila haptazi mbart pretendime territoriale ndaj shtetit të Kosovës, duke nxitur reagime të ashpra në Prishtinë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: