Sport
Madhështi në Gjenevë: Diaspora shqiptare bashkohet për të kremtuar 28 Nëntorin
Reklamë e Sponsorizuar
Gjenevë, 21 nëntor – Në një mjedis të ngrohtë, festiv dhe të mbushur me ndjenja të thella atdhetare, shqiptarët e Gjenevës u mblodhën së bashku për të festuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo festë e shënuar e historisë sonë kombëtare bëri bashkë bashkatdhetarë të çdo moshe, duke dëshmuar edhe një herë se lidhja shpirtërore me atdheun, gjuhën amtare dhe traditat tona mbetet e fortë dhe e gjallë, pavarësisht jetës larg vendlindjes.
Kjo ngjarje madhështore u organizua më 21 nëntor në sallën festive në Avanchets të Gjenevës. Nismëtarë të këtij organizimi ishin shoqatat LAPSH – Shkolla Shqipe, Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, Ansambli “Gëzuar”, Rinia Contact, FC Kosova, Shoqata “Zhegra” dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me SOS Medvegja.
Të rrethuar nga simbolet kombëtare dhe flamuri kuqezi, të pranishmit përkujtuan me mburrje 28 Nëntorin e vitit 1912, momentin historik kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Tingujt madhështorë të Himnit Kombëtar, të interpretuar një zëri nga të rritur e fëmijë, përbënë një nga çastet më emocionuese dhe prekëse të të gjithë mbrëmjes.
Ceremonia u hap në mënyrë solemne, duke i kushtuar vëmendje të veçantë identitetit dhe trashëgimisë historike.
Programi u drejtua nga moderatorët Valton Hyseni dhe Lumturie Zeneli, të dy përfaqësues të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Gjenevë dhe studentë në fushën e shkencave të edukimit.
Me një shqipe të rrjedhshme e shembullore dhe një paraqitje krejtësisht dinjitoze, Valton Hyseni u foli të pranishmëve për peshën e madhe historike të kësaj date, duke evokuar sakrificat e panumërta të brezave që u angazhuan për lirinë dhe sovranitetin e kombit shqiptar.
Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh:
“28 Nëntori nuk është thjesht një datë në kalendar. Ai përfaqëson lirinë, sakrificat dhe guximin e shumë brezave që luftuan për pavarësinë tonë. Është një ditë që na kujton se liria që gëzojmë sot është fituar me shumë mund dhe se historia jonë duhet të mbetet gjithmonë pjesë e identitetit tonë.”
Nga ana e saj, moderatorja Lumturie Zeneli u paraqit me një përkushtim të jashtëzakonshëm, duke përcjellë mesazhe kuptimplota si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë frënge lidhur me domosdoshmërinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë sonë kulturore.
Në fjalën e saj u vu në dukje:
“Por identiteti ynë nuk jeton vetëm në historinë që kemi trashëguar. Ai jeton në gjuhën që flasim, në traditat që ruajmë dhe në vlerat që na kanë përcjellë gjyshërit dhe prindërit tanë.
Gjuha shqipe, besa, mikpritja dhe respekti për njëri-tjetrin janë pjesë e asaj që na bashkon. Edhe pse jemi rritur dhe jetojmë larg vendlindjes, rrënjët tona mbeten gjithmonë me ne.”
Këto thënie të ndjera përmblodhën në mënyrën më të mirë të mundshme mesazhin kryesor të kremtimit: ruajtjen e lidhjes shpirtërore me atdheun dhe transmetimin e vlerave tona kombëtare te brezat e ardhshëm.
Mbrëmja u pasurua ndjeshëm edhe nga pjesëmarrja e personaliteteve të shquara të diplomacisë shqiptare dhe e autoriteteve vendase zvicerane.
Mes të ftuarve të nderit ishin prezent ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Ermal Dredha; përfaqësuesja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, zëvendëskonsullja znj. Diana Cakolli Morina; përfaqësuesi i komunës së Vernier-it, z. Mathias Buschbeck; znj. Anne Hiltpold si përfaqësuese e autoriteteve kantonale të Gjenevës; si dhe miku i hershëm e i dëshmuar i komunitetit shqiptar, z. Ueli Leuenberger.
Gjithashtu, pjesë e këtij organizimi madhështor ishin mësues, prindër, aktivistë të ndryshëm të komunitetit, drejtues shoqatash dhe një numër i madh bashkatdhetarësh që kishin zgjedhur të festonin së bashku.
Pjesëmarrja e gjerë e personaliteteve zvicerane konfirmoi edhe një herë lidhjet e shkëlqyera dhe integrimin e suksesshëm të komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: