Kronikë
Tragjedia e diskotekës “Pulse”: 49 seanca gjyqësore dhe dhjetëra dëshmitarë të dëgjuar, procesi vijon pa asnjë shtyrje
Reklamë e Sponsorizuar
Procesi gjyqësor për tragjedinë e rëndë në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë, po vijon me ritme të larta pa u regjistruar asnjë shtyrje seance që nga nisja e gjykimit.
Gjatë një brifingu informues të mbajtur sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, u bë e ditur se deri më tani janë zhvilluar gjithsej 49 seanca, nga të cilat 40 i përkasin këtij viti, ndërkohë që janë programuar edhe 15 seanca të tjera deri në përfundim të vitit 2026.
Më 14 shtator ka përfunduar zyrtarisht faza e administrimit të provave nga ana e Prokurorisë Publike. Gjatë kësaj periudhe janë shqyrtuar 1.390 prova materiale, ndërsa janë dëshmuar 45 dëshmitarë dhe pesë ekspertë të fushave përkatëse.
Ndërkaq, duke filluar nga 1 tetori, procesi ka kaluar në fazën e paraqitjes së provave nga pala mbrojtëse, e cila ka paralajmëruar dëshminë e 244 dëshmitarëve të tjerë.
Sa i përket masës së sigurisë, paraburgimi për të pandehurin e parë, Dejan Jovanov-Deko, skadon ligjërisht më 3 tetor. Mbrojtja ka njoftuar se synon të paraqesë një garanci pasurore prej rreth 200 mijë eurosh, pavarësisht se kjo nuk përbën detyrim ligjor.
Megjithatë, nga Gjykata Penale u theksua se nuk mund të merret asnjë vendim përfundimtar pa marrë më parë mendimin e Prokurorisë. “Deri më sot nuk kemi një përgjigje nga Prokuroria Publike. Pa këtë mendim nuk mund të vendosim. Afati skadon më 3 tetor dhe do të presim deri të premten,” u shprehën burimet nga gjykata.
Kjo lëndë penale po shqyrtohet në procedurën e provave nën drejtimin e gjyqtares Dijana Gruevska-Ilievska, kurse akuza përfaqësohet nga një grup prej 15 prokurorësh publikë.
Kujtojmë se zjarri shkatërrues në diskotekën “Pulse” në Koçan ndodhi më 16 mars 2025, gjatë një koncerti të grupit muzikor DNA, duke shënuar kështu një nga tragjeditë më të errëta dhe më të rënda në historinë e deritanishme të Maqedonisë së Veriut.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: