Sport
Ndërgjegjësimi kundër trafikimit me njerëz: Policia e Kosovës përmbyll me sukses fushatën informative në shkollat e vendit
Reklamë e Sponsorizuar
Prishtinë – Në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz dhe Planit përkatës të Veprimit, Policia e Kosovës ka përmbyllur me sukses një fushatë gjithëpërfshirëse vetëdijësuese, të realizuar nga data 18 tetor deri më 18 nëntor 2026.
Gjatë kësaj periudhe njëmujore, të gjitha njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz (DHTNJ) organizuan ligjërata edukative dhe parandaluese në institucionet e arsimit fillor dhe të mesëm në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Aktivitetet u fokusuan në disa shtylla kryesore, me synim edukimin e brezit të ri mbi rreziqet e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual, si dhe pajisjen e tyre me informacionet e nevojshme për të identifikuar dhe parandaluar situatat e mundshme të rrezikut. Po ashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua ndërgjegjësimit për pasojat e rënda sociale e ligjore të këtij meksimi kriminal, si dhe mekanizmave për identifikimin e hershëm dhe referimin e menjëhershëm të rasteve.
Në total, fushata shtriu aktivitetin e saj në 42 shkolla fillore dhe të mesme, ku morën pjesë rreth 1,162 nxënës të grupmoshave të ndryshme, të shoqëruar nga stafi i tyre mësimdhënës.
Përveç punës me nxënësit, me qëllim rritjen e efikasitetit në hetimin dhe referimin e rasteve, u zhvilluan ligjërata të posaçme edhe për rreth 217 arsimtarë e profesorë në rajonet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit. Kjo iniciativë u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Drejtoritë Komunale të Arsimit, Koordinatoret e Prokurorive Themelore, Mbrojtësit e Viktimave, Qendrat për Punë Sociale (QPS), Drejtorinë e Policimit në Bashkësi dhe Parandalim, si dhe me mbështetjen e organizatave joqeveritare.
Gjatë të gjitha takimeve, për pjesëmarrësit u shpërndanë materiale të shumta informative e didaktike, si postera, broshura, fletore, lapsa dhe çanta me mesazhe parandaluese.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: