Politikë
Thirrja e Kurtit për njohjen nga Ukraina: A ka ardhur momenti që Zelensky të zhbëjë narrativën e Putinit?
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar publikisht presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, me një kërkesë të qartë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në një artikull të botuar në mediumin ukrainas “Kyiv Post”, Kurti ka argumentuar se rasti i Kosovës nuk ka asnjë lidhje me aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke kritikuar kështu hezitimin e vazhdueshëm të Kievit zyrtar për të ndërmarrë një hap të tillë.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka rikujtuar se qëndrimi mosnjohës i Ukrainës u rikonfirmua nga Zelensky gjatë vizitës së tij në Beograd në gusht të këtij viti. Në këtë kontekst, Kurti ka listuar mbështetjen e palëkundur të Prishtinës ndaj Kievit, e cila përfshin dënimin e agresionit rus, zbatimin e sanksioneve perëndimore, strehimin e gazetarëve ukrainas dhe ofrimin e ndihmës ushtarake.
Sipas Kurtit, presidenti rus Vladimir Putin po e keqpërdor statusin e Kosovës për të legjitimuar pushtimet e tij. Ai ka nënvizuar dallimet thelbësore: ndërsa pavarësia e Kosovës erdhi si përgjigje ndaj spastrimit etnik dhe ndërhyrjes së NATO-s, aneksimi i Krimesë ishte një akt i pastër ushtarak i agresionit. Për kryeministrin kosovar, njohja e Kosovës nga Ukraina do të ishte një goditje diplomatike për narrativën e Putinit dhe një mbrojtje për rendin ndërkombëtar.
“Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur”, ka potencuar Kurti, duke e mbyllur mesazhin e tij me konstatimin se “Krimea është Ukrainë, dhe Kosova është Kosovë”.
Analisti politik dhe njohësi i rrethanave ndërkombëtare, Eduard Gashi, ka vlerësuar se kjo iniciativë e kryeministrit Kurti tejkalon kornizat e një kërkese të thjeshtë diplomatike. Sipas tij, bëhet fjalë për një përpjekje për të ripozicionuar debatin gjeopolitik, ku ndërthuren parimet juridike me interesat shtetërore.
“Në diplomaci, qëndrimet ndryshojnë atëherë kur ndryshojnë interesat dhe kostot politike. Pyetja kyçe nuk është nëse Ukraina do ta njohë Kosovën nesër, por nëse kjo thirrje do të arrijë ta zhvendosë fokusin nga precedentët territorialë te dallimi thelbësor ndërmjet vetëvendosjes dhe pushtimit ushtarak”, ka deklaruar Gashi.
Duke analizuar pozitën e vështirë të Kievit, Gashi shton se Ukraina gjendet në një paradoks të dukshëm. Nga njëra anë, shteti ukrainas kërkon me ngulm respektimin e integritetit të tij territorial, ndërsa nga ana tjetër vazhdon të mos e njohë shtetin e Kosovës, përkundër faktit se Prishtina ka qenë njëra ndër palët më të zëshme në mbështetje të kauzës ukrainase.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: