Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Krahasim madhështor nga Argjentina: Nico Paz ngjason vetëm me Messin dhe Maradonën

Redaksia Lajmetereja • 20-11-2026 08:03
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Krahasim madhështor nga Argjentina: Nico Paz ngjason vetëm me Messin dhe Maradonën
Ish-mesfushori i njohur argjentinas, Juan Sebastian Veron, ka shprehur admirimin e tij të thellë për aftësitë e Nico Paz, duke e vënë talentin e ri në të njëjtin nivel me dy ikonat më të mëdha të futbollit botëror, Diego Maradonën dhe Lionel Messin. Në një intervistë për të përditshmen italiane “La Gazzetta dello Sport”, Veron ka analizuar potencialin e 22-vjeçarit që luan te skuadra e Comos, duke nënvizuar se ai zotëron dhunti të rralla që mund ta dërgojnë në majat e futbollit ndërkombëtar. “Në moshën 22 vjeç, ai bën gjëra që i kam parë vetëm Messin dhe Diego Maradonën t’i bëjnë. Nuk dua të theksoj se ai do të arrijë ato nivele, duke përcaktuar një epokë siç bënë Diego dhe Leo, por Nico Paz ka cilësitë për ta provuar këtë sukses. Dhe i uroj suksese në arritjen e këtij qëllimi”, ka deklaruar Veron. Aktualisht, Paz po kalon një formë të jashtëzakonshme, duke u shndërruar në një nga lojtarët më kyçë në Serie A. Gjatë edicionit të kaluar, ai kontribuoi me 12 gola dhe shtatë asistime për Comon, ndërsa në sezonin aktual ka regjistruar gjashtë gola dhe tetë asistime në 14 paraqitje me klubin. Edhe në arenën ndërkombëtare me fanellën e Argjentinës, i riu po tregon vlerat e tij me pesë gola në pesë ndeshje këtë sezon, duke u llogaritur si një ndër pretendentët kryesorë për të trashëguar në të ardhmen fanellën ikonike me numrin 10 të Messit. Në vlerësimin e tij, Veron ka veçuar sidomos karakterin e fortë të Pazit në fushën e blertë, mënyrën se si e kërkon topin pa frikë dhe gatishmërinë për të marrë mbi vete përgjegjësi në momentet kyçe të takimit. “Nico Paz ka talent të jashtëzakonshëm. E ardhmja është tërësisht e tija nëse ai vazhdon të veprojë me nivelin e tij aktual të profesionalizmit”, ka thënë ai. Ish-lojtari i njohur i klubeve si Lazio, Parma dhe Sampdoria ka bërë gjithashtu një paralelizëm interesant mes stilit të tij të dikurshëm dhe atij të futbollistit të Comos. “Nuk më pëlqen të bëj krahasime me lojtarë nga epoka të ndryshme, por mendoj se Nico Paz është sikur ta zhvendosësh Veronin 20 metra para. Duke kërkuar gjuajtje, gola dhe asiste dhe atë topin e fundit në prapavijë”, u shpreh ai. Megjithatë, Veron ka lëshuar një paralajmërim se paralelizmat me legjendat mund të shërbejnë si barrë e rëndë për rritjen e talenteve të rinj, duke kujtuar shembuj të mëparshëm të lojtarëve argjentinas që u dorëzuan përballë presionit të madh. Teksa ka përmendur edhe talentin e Fiorentinës, Franco Mastantuono, ai ka theksuar se Serie A paraqet mjedisin ideal për zhvillimin e tij, duke shtuar se të dy këta lojtarë do të jenë shtylla kurrizore e së ardhmes së kombëtares argëtinase. “Ne jemi vendi i numrave 10 dhe këta dy djem mund të na ndihmojnë të ëndërrojmë. Për sa kohë që i lëmë të rriten në paqe”, ka përfunduar Veron.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar