Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

A do t'i hiqet Kosovës e drejta e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030? Flet Komiteti Ndërkombëtar

Redaksia Lajmetereja • 20-11-2026 08:03
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
A do t'i hiqet Kosovës e drejta e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030? Flet Komiteti Ndërkombëtar
Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka shmangur një përgjigje direkte lidhur me fatin e ngjarjes sportive "Prishtina 2030", duke mos konfirmuar nëse Kosova rrezikon përfundimisht humbjen e të drejtës së organizimit, ndërkohë që vendi po përballet me kritika për ecurinë e përgatitjeve dhe mosrespektimin e afateve institucionale. Kërkesa për sqarime mbi këtë çështje urgjente u drejtua nga redaksia jonë në drejtim të ICMG-së, me synimin për të kuptuar nëse ekziston ende ndonjë mundësi reale që autoritetet kosovare të përmbushin kushtet e paracaktuara, apo nëse tejkalimi i afateve e ka bërë të pamundur realizimin e këtij projekti madhështor. Përmes një përgjigjeje zyrtare të mbërritur të enjten në mbrëmje, Sekretariati i ICMG-së ka preferuar të mos japë detaje, duke ua kaluar topin strukturave vendase dhe duke udhëzuar që pyetjet të adresohen pranë Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 (OCMG). "Ju lutemi, drejtojuni OCMG-së Prishtina 2030 për informata të mëtejshme", thuhet shkurtimisht në nomening e ICMG-së, në një kohë kur paqartësitë dhe tensionet rreth këtij organizimi vetëm sa po shtohen. Kjo situatë e tensionuar vjen në një moment kur skena politike vendase është përfshirë nga një përplasje e hapur institucionale rreth përgjegjësive për dështimet e mundshme në hapat paraprakë të përgatitjes së Lojërave. Vetëm një ditë më herët, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti paralajmëroi se mungesa e bashkërendimit të brendshëm po e dëmton seriozisht projektin, duke veçuar sfidat në raportet ndërinstitucionale. Kurti theksoi se bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë në nivelet e duhura, por nuk la pa përmendur pakënaqësitë me bashkëpunimin e munguar nga ana e Komunës së Prishtinës. "Vazhdoj të jem optimist, por optimist i përmbajtur, sepse kush bën mirë nuk e ka të lehtë të shtyhet me dikë që bën të kundërtën. Në këtë aspekt, bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë i mirë, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Komunën e Prishtinës, prandaj jemi në këtë situatë. Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, por do ta bëjmë me çdo kusht pa korrupsion", u shpreh ndër të tjera Kurti. Reagimi i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nuk vonoi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ia adresoi drejtpërdrejt Qeverisë fajin për dështimet administrative, duke përmendur tre faktorë kryesorë që sipas tij çuan në anulimin e takimit të planifikuar me drejtuesit e ICMG-së në Athinë. "Kryeministër, paske provu me ia bartë Prishtinës fajin për dështimin e “Lojërave Mesdhetare”. Në komunikimin e fundit, “Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare” thotë se takimi është anulu për këto arsye! Emrat e delegacionit s’janë dërgu. Nuk jeni përgjigjë në email-a. Kush ka pasë me i bo këto? Qikaq e thjeshtë është!", theksoi Rama në reagimin e tij. Këto polemika ndërmjet ekzekutivit qendror dhe atij lokal vijnë pas një sërë paralajmërimesh zyrtare nga organizmat ndërkombëtarë sportivë, të cilët kanë shprehur vazhdimisht shqetësim për ngecjet në përmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative nga ana e Kosovës. Në një letër alarmante të dërguar më 15 tetor, ICMG-ja kishte tërhequr vërejtjen për rreziqet e theksuara në procesin e organizimit, duke veçuar mungesën e garancive bankare, vonesat në pagesa dhe mungesën e transparencës në komunikimet zyrtare. Sakaq, sytë e opinionit sportiv tashmë janë drejtuar nga data 19 dhjetor, ku Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së pritet të analizojë situatën e krijuar dhe të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme për të vendosur përfundimisht mbi fatin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Kujtojmë se Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030" janë planifikuar të zhvillohen nga 24 korriku deri më 4 gusht të vitit 2030, pasi Kosova siguroi të drejtën e organizimit në shtator të vitit 2023, një ngjarje kjo e paraparë të shtrihet në disa komuna të vendit, si dhe në qytetin e Durrësit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar