Sport
Rikthehet Superliga, lideri Prishtina mbrojtjen e kreut ndaj Drenicës
Reklamë e Sponsorizuar
Superliga e Kosovës në futboll rikthehet sot me ndeshjet e xhiros së 14-të, pas ndërprerjes së kampionatit shkaku i ndeshjeve të kombëtareve. Takimi i parë i kësaj jave do të jetë përballja ndërmjet Prishtinës dhe Drenicës, dy skuadrave që hyjnë në këtë duel me objektiva të ndryshme në tabelën e klasifikimit.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00.
Prishtina e pret këtë ndeshje nga pozita e liderit të kampionatit, me 32 pikë të grumbulluara në 13 ndeshje. Bardhekaltrit kanë regjistruar dhjetë fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje, ndërsa kanë pesë pikë më shumë se Malisheva, që renditet e dyta me 27 pikë. Drita është e treta me 24 pikë, kurse Gjilani zë pozitën e katërt me 22 pikë.
Në anën tjetër, Drenica ndodhet në pozitën e tetë me 12 pikë, pas dy fitoreve, gjashtë barazimeve dhe pesë humbjeve. Skuadra nga Skenderaj ka katër pikë më shumë se Llapi, që gjendet në zonën e rrezikut për rënie, dhe nëntë më shumë se Vushtrria, e cila ka vetëm tri pikë.
Kësisoj, kjo përballje ka rëndësi për të dyja skuadrat. Prishtina synon ta vazhdojë serinë pozitive dhe ta ruajë epërsinë në krye të tabelës, ndërsa Drenica kërkon pikë të rëndësishme për t'u larguar nga pjesa e poshtme e klasifikimit.
Xhiroja e 14-të do të vazhdojë të shtunën dhe të dielën me katër përballjet e tjera të kampionatit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: