Aktuale
Tragjedia e 25-vjeçarit shqiptar në Itali: Identifikohet pas 20 ditësh trupi i gjetur në lumin Adige
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku studenti 25-vjeçar, Ferdinand Nokaj, është gjetur i pajetë në brigjet e lumit Adige, në zonën e Grumos. Trupi i të riut ishte gjetur që më 5 shtator, por për gati tri javë ai ka qëndruar i paidentifikuar në morgun e spitalit “Santa Chiara” në Trento, pasi familja nuk ishte vënë në dijeni.
Identifikimi zyrtar u bë vetëm më 25 shtator nga babai i viktimës, i cili arriti ta njohë të birin përmes tipareve të fytyrës dhe një tatuazhi të dallueshëm në gjoks. Për familjarët, kjo humbje është e lidhur ngushtë me një episod dhune që Ferdinandi kishte përjetuar pak përpara se të humbiste kontaktet.
Sipas dëshmisë së familjes, vetëm tri orë para zhdukjes, 25-vjeçari kishte treguar se ishte sulmuar fizikisht në Rovereto nga disa bashkatdhetarë të tij. I riu ishte shfaqur i traumatizuar dhe me shenja të dukshme dhune në fytyrë. Në një bisedë telefonike, babai e kishte këshilluar të kërkonte menjëherë ndihmën e forcave të rendit, këshillë të cilën Ferdinandi e kishte miratuar duke thënë: “Edhe unë këtë po mendoj, baba”.
Pas kësaj bisede, 25-vjeçari kishte komunikuar me vëllain e tij nga stacioni i trenit në Rovereto, telefonatë e cila rezultoi të ishte e fundit. Për të dëshmuar agresionin, Ferdinandi kishte publikuar në rrjetin social Instagram një fotografi ku shiheshin qartë pasojat e sulmit në fytyrën e tij. Kjo dëshmi është ruajtur nga familjarët, ndërsa vëllai i viktimës kishte bërë denoncimin për zhdukjen e tij pranë stacionit të Karabinierëve në Fano, menjëherë pas ndërprerjes së komunikimit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: