Sport
Dramë dhe spektakel: Bashkimi mposht Trepçën pas vazhdimeve dhe rrëmben Superkupën e Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Bashkimi i Prizrenit është kurorëzuar me trofeun e Superkupës së Kosovës në basketboll, pas një finaleje tejet dramatike dhe maratonike që dhuroi emocione të mëdha deri në sekondat e fundit.
Skuadra nga Prizreni ka triumfuar ndaj kampionit në fuqi, Trepçës, me rezultatin 103:93, pas 45 minutave lojë, duke qenë se koha e rregullt e ndeshjes u mbyll në barazim 87:87 (22:24, 18:22, 28:24, 19:17 – 16:6). Përballja e madhe, e cila u zhvillua në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, nisi në orën 19:00 dhe u mbyll vetëm pas orës 22:00, në një atmosferë të zjarrtë nga tifozët.
Dueli u karakterizua edhe nga momente tensioni, kur në minutën e 20-të, me rezultatin 42:35 në favor të mitrovicasve, ndeshja u ndërpre për më shumë se 35 minuta për shkak të hedhjes së mjeteve piroteknike në parket. Pas kësaj ndërprerjeje dhe incidenteve të shkaktuara në tribuna, tifogrupet “Torcida” dhe “Arpagjikët” u larguan përfundimisht nga palestra, ndërsa pjesa e parë u mbyll me shifrat 46:40 për Trepçën.
Pjesa e dytë solli një fytyrë tjetër të prizrenasve, të cilët ngritën ritmin në çerekun e tretë. Në minutën e 27-të, Bashkimi kaloi në epërsi 55:60, kurse në minutën e 30-të barazoi shifrat në 68:68, duke paralajmëruar një finale frenetike. Çereku i fundit ishte një luftë e vërtetë pikë për pikë, ku epërsia kalonte nga njëra skuadër te tjetra, derisa sfida u mbyll baras 87:87 pas 40 minutave lojë.
Në pesë minutat e vazhdimeve, Bashkimi tregoi përgatitje më të lartë fizike dhe psikologjike, duke dominuar plotësisht dhe duke e mbyllur takimin me dhjetë pikë avantazh, 103:93, për të festuar fitimin e trofeut të Superkupës.
Në radhët e Trepçës më i dalluari ishte Ja'cori Payne me 22 pikë, i ndjekur nga Matt Mobley që kontribuoi me 21 pikë. Ndërkaq, te triumfuesit e Bashkimit shkëlqyen Shannon Shorter dhe Adrio Bailey me nga 23 pikë secili, si dhe Lejson Zeqiri që shtoi 18 pikë të tjera për ta çuar skuadrën drejt lavdisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: