Kronikë
Tragjedi në Prizren: Ndërron jetë 26-vjeçarja, gjendja i u përkeqësua gjatë procedurave policore
Reklamë e Sponsorizuar
Një e re ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Prizrenit, pasi shëndeti i saj u përkeqësua papritur teksa po merrej në pyetje nga organet e rendit, në lidhje me një rast të dyshuar për narkotikë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, ngjarja ka zanafillën më 15 nëntor, rreth orës 18:00, në pikën e kalimit në Vërmicë. Aty u ndalua një automjet i tipit BMW me targa vendore, brenda të cilit ndodheshin një mashkull dhe një femër, të dy shtetas të Kosovës.
Gjatë kontrollit të detajuar të makinës, efektivët zbuluan dhe sekuestruan 105.7 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm, si dhe dy aparate telefonike.
Në bazë të urdhrit të prokurorit kompetent, autoritetet kryen gjithashtu një kontroll në banesën e të dyshuarit, ku u gjet dhe u sekuestrua një pajisje detektuese për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave.
Pas përfundimit të veprimeve të para, personit mashkull iu caktua masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, gjatë nisjes së procesit të intervistimit të gruas, në prani të avokatit të saj mbrojtës, ajo shfaqi shenja të përkeqësimit të menjëhershëm shëndetësor.
Ekipet policore reaguan pa humbur kohë duke kërkuar ndihmë mjekësore emergjente. Pasi mori ndihmën e parë në vendin e ngjarjes, e reja u dërgua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Prizrenit për t'i u nënshtruar trajtimit të mëtutjeshëm mjekësor.
Më vonë, rreth orës 01:30, stafi mjekësor njoftoi zyrtarët policorë se pavarësisht përpjekjeve, pacientja kishte ndërruar jetë.
Për këtë ngjarje tragjike janë vënë në lëvizje njësitet e hetuesisë pranë Stacionit Policor të Prizrenit, Sektori Rajonal i Hetimeve, Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe prokurori kujdestar.
Grupet e ekspertëve hetues dhe ekipi i forenzikës dolën menjëherë në terren për të kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij rasti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: