Ekonomi
Përplasja për 'Alta Banka': VLEN, BDI dhe VMRO-DPMNE në luftë akuzash për shitjen e aksioneve
Reklamë e Sponsorizuar
Hyrja e 'Alta Banka' në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut është shndërruar në mollë sherri mes forcave kryesore politike në vend. Koalicioni VLEN ka hedhur akuza të forta, duke pretenduar se përveç shitjes së aksioneve nga ana e Salaudin Arifit, krushkut të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, përmes kompanisë 'AS Senjak', në këtë proces është përfshirë edhe Agjencia për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar.
Deputetja e VLEN, Saranda Imeri Stafai, ka publikuar dokumente që, sipas saj, dëshmojnë se qeveria e kaluar në vitin 2023 kishte dhënë dritën jeshile për shitjen e këtyre aksioneve. Ajo theksoi se në seancën e 158-të të qeverisë, të mbajtur më 6 qershor 2023, udhëheqësit e BDI-së së bashku me partnerët e tyre të atëhershëm nga LSDM, miratuan vendimin për shitjen e aksioneve shtetërore në Stopanska Banka SH.A Manastir.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim ka hedhur poshtë këto pretendime, duke u shprehur se nuk mund të parashikonin se aksionet e shitura atëkohë do të përfundonin në duart e 'Alta Banka'. Integristët kanë akuzuar VLEN-in se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë, duke shtuar se ata vetë e kanë paralajmëruar qeverinë aktuale për lidhjet e dyshimta të kësaj banke me ndikime të jashtme. Sipas BDI-së, VLEN po sillet si opozitë për të mbuluar nënshkrimet e veta në dokumentet zyrtare.
Në këtë debat është përfshirë edhe VMRO-DPMNE. Përfaqësuesi i kësaj partie, Valentin Manasievski, ka kërkuar llogari nga LSDM-ja për heshtjen e tyre, duke aluduar se ata kanë mundësuar hyrjen e 'Alta Banka' në bashkëpunim me BDI-në. Ai pyeti se pse nuk pati reagime kur kompania e krushkut të Ahmetit shiti aksionet te Davor Macura dhe institucioni bankar në fjalë.
LSDM-ja i është përgjigjur këtyre akuzave duke i cilësuar si manipulime. Sipas tyre, vendimi i qershorit 2023 ishte thjesht një procedurë ligjore për shitjen e aksioneve të konfiskuara nga rasti 'Perandoria' për të mbushur buxhetin e shtetit. Ata sqaruan se aksionet në atë kohë nuk i janë shitur 'Alta Banka'-s, pasi ky institucion nuk ka qenë i pranishëm në vend, duke theksuar se hyrja e bankës dhe marrja e Stopanska Bankës janë procese që kanë ndodhur shumë më vonë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: