Kronikë
Aksioni “Heshtja”: Ky është personi që dyshohet se drejtonte rrjetin e kokainës në Prishtinë
Reklamë e Sponsorizuar
Jeton Stanovci është identifikuar si një nga të dyshuarit kryesorë dhe drejtuesi i mundshëm i grupit kriminal të goditur gjatë operacionit të gjerë antidrogë të quajtur “Heshtja”, i cili u realizua më 14 nëntor në zonën e Prishtinës.
Sipas hetimeve, Stanovci dyshohet se ka qenë në krye të rrjetit të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e substancave narkotike, specifikisht të kokainës.
Në këtë operacion të forcave të rendit ranë në pranga gjithsej gjashtë persona, ndërsa një tjetër u la i lirë në procedurë të rregullt për t'u mbrojtur në liri.
Mes të ndaluarve në kuadër të këtij aksioni figuron edhe ish-ministri Astrit Haraqija.
Përveç Haraqisë, autoritetet policore arrestuan gjithashtu edhe Albana Xhemajli-Ramadani, Alban Maloku, Gëzim Feka dhe Baftije Feka.
Vlen të theksohet se Jeton Stanovci rezulton të ketë pasur më parë probleme me drejtësinë lidhur me një vepër penale të rëndë.
Më 2014, ai ishte përballur me akuzat për tentativë vrasjeje dhe mbajtje të armëve pa leje në kryeqytet. Gjatë atij procesi, Gjykata Themelore në Prishtinë e pati shpallur fajtor, duke e dënuar me 3 vjet burgim efektiv dhe 1,000 euro gjobë, pas një incidenti të ndodhur në rrugën “Vushtrria”, ku pas të shtënave me shtatë plumba kishte mbetur i plagosur në këmbë një person.
Gjatë kontrolleve dhe bastisjeve të kryera në terren, njësitet kompetente arritën të sekuestrojnë rreth 1.6 kilogramë lloj kokaine, afro 16 mijë euro cash, si dhe disa automjete luksoze, përfshirë modele të tilla si Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe Volkswagen Tiguan.
Po ashtu, gjatë operacionit u konfiskuan sende me vlerë, si orë dore luksoze, aparate telefonike, pajisje të ndryshme elektronike, një armë zjarri me municion, si dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për paketimin e lëndëve narkotike.
Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara dhe të bllokuara gjatë këtij aksioni llogaritet të jetë rreth 301 mijë euro.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: