Politikë
Keqpërdorim i barnave në QKUK: SHSKUK pezullon nga detyra katër zyrtarë
Reklamë e Sponsorizuar
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka marrë masa adekuate ndëshkimore, duke larguar përkohësisht nga puna katër punonjës, pasi gjatë kontrollit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) u konstatuan shkelje dhe mangësi në administrimin e barnave dhe inventarit mjekësor.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim ndëshkimor është protokolluar nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së, si rrjedhojë e parregullsive të konstatuara gjatë ushtrimit të detyrës.
Në mbledhjen e tetë të Bordit Drejtues të SHSKUK-së, e cila u drejtua nga kryesuesi Dr. Faik Shatri, anëtarët u njohën nga afër me hapat e parë ndëshkimorë të ndërmarrë. Gjatë këtij takimi, Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, konfirmoi se Komisioni Disiplinor ka lëshuar vendimin për pezullimin e katër punonjësve të përfshirë në këto shkelje.
Gjatë seancës, Bordi Drejtues ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme që të paraqesë raporte periodike në çdo mbledhje të ardhshme, për të ndjekur hap pas hapi ecurinë e procesit disiplinor dhe masat konkrete në vijim.
Në fund të njoftimit, institucioni ka theksuar se SHSKUK mbetet e përkushtuar në trajtimin e çdo lloj shkeljeje me seriozitet të lartë dhe në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret në fuqi, me qëllim të ngritjes së llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin e resurseve farmaceutike dhe materialeve shpenzuese.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: