Misteri i pedofilit që e mori me qira Disneylandin në Paris

Publikuar më: 06-07-2025 06:13
Kur u bë e ditur se javën e kaluar një pedofil i dënuar kishte organizuar njëfarë dasme të rreme me një vajzë 9-vjeçare në Disneyland të Parisit, shumë njerëz ngelën të shtangur. Kush do të bënte diçka të tillë? Si ishte e mundur që kjo të ndodhte? BBC-ja ka qartësuar se ky ishte veprimi më i fundit i pazakontë i Jacky Jhaj – një britanik që mediumi e ka hetuar për dy vjet me radhë. Ai e kishte kapur vëmendjen e BBC-së fillimisht pasi një vajzë adoleshente e kishte lajmëruar atë në vitin 2023. Ajo ishte e tmerruar nga fakti që ishte ballafaquar me një pedofil, për të cilin ishte paguar ta adhuronte e lavdëronte. Ajo kishte aq frikë saqë nuk donte të fliste publikisht – mirëpo BBC-ja gjeti disa aktorë të rinj që gjithashtu ishin udhëzuar të brohorisnin për Jhajin, teksa ai ecte në një tapet të kuq. Gjithsej, 200 fëmijë dhe vajza të reja ishin punësuar nga agjenci të audicioneve për të luajtur rolin e admiruesve të Jhajit në një premiere të rreme filmi në “Leicester Square” në Londër atë vit. Disa prej tyre ishin vetëm 6 vjeç. Në fund të ngjarjes, dikush e njohu Jhajin – i cili më parë ishte dënuar për veprime seksuale me dy 15-vjeçare në 2016-tën dhe si rrjedhojë ishte dërguar në burg. Tapeti i kuq i rremë ishte vetëm njëri nga shumë veprimet e çuditshme që ai i ka organizuar që prej lirimit, shpeshherë duke përfshirë vajza të reja si “adhuruese” të tij. Të gjitha këto janë organizuar me shpenzime të mëdha, teksa Jhaji bën pjesë në Regjistrin e të Dënuarve Seksualë, si dhe i nënshtrohet disa kufizimeve në aktivitetet e tij. Për dasmën e inskenuar në “Disneyland” të Parisit, një vajzë 9-vjeçare ukrainase u soll me aeroplan për të luajtur rolin e “nuses” së tij. Parku tematik mund të merret me qira privatisht jashtë orarit të hapjes, dhe aktorë të tjerë ishin punësuar me kosto të lartë për të qenë atje – njëri prej tyre fitoi 11,700 euro. BBC-ja ka kuptuar se Jacky Jhaji, 39 vjeç, banor në pjesën perëndimore të Londrës, tashmë është akuzuar nga autoritetet franceze për organizimin e kësaj ngjarje. Gjatë dy viteve të fundit, BBC-ja ka provuar të kuptojë sesi ai ka mundur të kryejë këto veprime dhe pse nuk ekzistojnë rregulla më rigoroze për t’i parandaluar ato. Shumë prej tyre janë zhvilluar në vende të njohura në Britaninë e Madhe – si Muzeu Britanik, “Royal Exchange” në Londër dhe Universiteti i Oxfordit. Ato zakonisht përfshijnë të rinj që punësohen për të luajtur rolin e admiruesve të tij nëpër produksione të ndërlikuara. Video të disa prej këtyre akteve janë ngarkuar në një kanal të platformës YouTube, i cili kishte më shumë se 6 milionë shikime dhe 12 milionë abonentë. Shumë prej këtyre videove qëndruan në YouTube për shumë vite me radhë, deri në shtatorin e vitit të kaluar, kur BBC-ja e kishte njoftuar kompaninë amerikane Google, njëkohësisht pronaren e platformës. Një video në një kanal tjetër e tregonte Jhajin pranë njërës prej viktimave me të cilën ishte dënuar për veprimtari seksuale – derisa fytyra e saj ishte e padukshme. Videoja në fjalë kishte qëndruar në YouTube për katër vjet dhe kishte grumbulluar me miliona shikime. Në Google i kanë thënë BBC-së asokohe se kompania e trajton me shumë seriozitet sigurinë e përdoruesve, porse nuk kishin dhënë shpjegime sesi kanali i një njeriu pa profil të njohur kishte rreth 12 milionë abonentë, apo se pse videot nuk ishin hequr më parë nga platforma. Klipet në rrjetet sociale e paraqesin Jhajn si një shkrimtar dhe këngëtar të suksesshëm, dhe shpeshherë ngjasojnë me stilin e videove muzikore. Shumë prej këtyre videove janë shqetësuese – disa e tregojnë atë duke pozuar me fëmijë të vegjël dhe armë. Nuk është e qartë nëse armët janë të vërteta apo të rreme. Të tjerat kremtojnë famën e tij të keqe. Në një video, ai përshëndetet nga “fansat”, që duket se po festojnë lirimin e tij nga burgu i “Wormwood Scrubs”. BBC-ja ka qenë e interesuar ta zbërthejë prapavijën mbrapa së cilës ishin organizuar këto spektakle – dhe nëse Jhajni ishte ndihmuar nga persona të tjerë. Çfarë dimë tjetër? Gjatë dy viteve të fundit, mediumi britanik ka kontaktuar e biseduar me operatorë videosh, asistentë prodhimi dhe teknikë të punësuar për disa nga këto ngjarje, para se të zbulonin identitetin e vërtetë të Jhajit. Një burrë shfaqet vazhdimisht në videot që ata kanë ndarë me BBC-në. BBC-ja ka arritur të sigurojë imazhe dhe pamje të tij në tre nga këto akte, prej njerëzve që e përshkruan atë si ndihmës të koreografit, ndonëse të punësuar paralelisht për audicionet e kërcimit dhe xhirimet. Në një ngjarje tjetër vitin e kaluar, burri i panjohur u përball me anëtarë të kastit që ishin mashtruar – të cilët e njohën Jhajin nga raportimet e BBC-së – duke i treguar atij artikullin e shkruar prej mediumit britanik. Ata e filmuan burrin në fjalë (i cili pretendohet se është i afërt me Jhajin) teksa ai e kishte pranuar se Jhaji është një abuzues seksual i dënuar, porse kishte thënë se ai është “shoku” i tij dhe se tani është “i lirë”. Në këtë ngjarje, Jhaji u filmua duke pozuar lakuriq përpara një kamioni të improvizuar të “BBC News” në Londër, i cili ishte vënë në flakë. Fillimisht, ai ishte shfaqur aty i maskuar me proteza – para se t’i hiqte ato dhe të identifikohej si personazhi nga historia e BBC-së. Gjithashtu, gjetjet paraprake të prokurorisë franceze kanë treguar se artistë të makiazhit kishin ndryshuar dukshëm tiparet e fytyrës së organizatorit (Jhajit), gjatë ngjarjes në “Disneyland”. E pyetja se si i financon Jhaji spektaklet e tij – që përfshijnë kosto jashtëzakonisht të larta për të marrë me qira vendet, punësimin e aktorëve e gjëra të tjera – mbetet ende mister. Vetëm rezervimi i “Disneylandit” në Paris do të kushtonte më shumë se 130,000 euro, sipas transmetuesit francez BFMTV. Mes tjerash, qiraja e hapësirës së “tapetit të kuq” në Leicester Square – vendi i premierëve të filmit – gjithashtu do të kushtonte dhjetëra-mijëra euro. Jhaji ishte regjistruar si drejtor i një biznesi që u likuidua përfundimisht në 2016-tën, por nuk duket të ketë burime të tjera të njohura të të ardhurave. BBC-ja ka dashur të zbulojë se si ishte e mundur që ai të organizonte këto ngjarje, teksa ishte nën urdhër për parandalimin e dëmit seksual (Sexual Harm Prevention Order). Mediumi i shquar britanik ka parë kopje të urdhrit. Në të listohen 10 kufizime ndaj aktiviteteve të tij – por askund nuk definohet qartazi se duhet të ndalohen spektaklet që ai i ka organizuar kohëve të fundit. Urdhri e ndalon Jhajin nga kontakti me viktimat e tij të mëparshme, hyrjen në vende publike të destinuara për fëmijë dhe kontaktin e qëllimshëm me çdo vajzë nën moshën 16 vjeçare. Megjithatë, nuk citohet të ketë ndalesë të plotë për organizimin e ngjarjeve e me fëmijë nën moshën 16 vjeçare nëse ata janë të shoqëruar – siç ndodhi me spektaklin në “Leicester Square”, ku disa të rritur ishin po ashtu të pranishëm si shoqërues. “Një polic për 50 të dënuar” Në mediumin britanik, çështje tjetër që kishte ngritur interesim ishte edhe se kush ishte përgjegjës për monitorimin e pedofilëve të dënuar. Pas raportimit të parë, një oficer policie që kishte ndihmuar me monitorimin e Jhajit e kishte telefonuar BBC-në, duke kërkuar informacione për veprimet e tij. Ai pati thënë se ishte përgjegjës për të ndjekur vendndodhjen e dhjetëra të dënuarve – që në vetvete është punë sfiduese. Këshilli Kombëtar i Kryetarëve të Policisë (NPCC) rekomandon që niveli minimal i  stafit për monitorimin e pedofilëve të jetë një oficer për çdo 50 të dënuar. Në raportin e saj mesatar, Policia Metropolitane e Londrës kishte një oficer për 40 të dënuar – që është brenda standardit të rekomanduar. Kur BBC-ja ka pyetur forcat e tjera policore lidhur me raportet e tyre, disa nuk u përgjigjën fare. Por, sipas kërkesave për Lirinë e Informacionit të nxjerra në vitin e kaluar, 10 nga 26 forca policore nuk e plotësonin këtë standard. Nëpër forcat e tjera policore, secili oficer ishte përgjegjës për monitorimin e mesatarisht 85 të dënuarve seksualë. Disa forca policore u mbrojtën, duke argumentuar se këto janë vetëm nivele këshilluese dhe se varen gjithashtu nga vlerësimet e rrezikut të të dënuarve. Megjithatë, sipas Jonathan Taylor, eksperti i mbrojtjes dhe ish-hetues i abuzimeve ndaj fëmijëve, menaxhimi i suksesshëm i 50 shkelësve seksualë është “i pamundur”. “Më vjen shumë keq për oficerët”, ka thënë ai. “Është një gotë e helmuar – njëri nga pedofilët do të kryejë përsëri krime. Ky rast nxjerr në pah edhe shqetësimet për mungesën e sigurisë së duhur nëpër kompanitë e argëtimit dhe të teknologjisë që lejojnë këta lloj shkelësish”, ka shtuar Taylor. BBC-ja ka zbuluar se Jhaji ndodhet aktualisht në paraburgim në Francë. Prokurori lokal atje ka bërë të ditur se vajza ukrainase e përfshirë në spektaklin në Disneyland nuk kishte qenë viktimë e dhunës fizike ose seksuale dhe nuk ishte detyruar të luante rolin e nuses. Në deklaratën e prokurorit thuhet gjithashtu se Disneyland në Paris ishte “mashtruar” dhe se organizatori kishte përdorur një letërnjoftim të rremë letonez, për të marrë me qira hapësirën. BBC-ja e ka kontaktuar “Disneylandin” në Paris për të komentuar rreth rastit, por nuk ka pranuar ende përgjigje.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu