15-vjeçari nga Mitrovica fotografohet me armë dhe e poston në Snapchat – reagon Policia

Publikuar më: 06-07-2025 05:40
Publikuar më: Një rast shqetësues është raportuar në Policinë e Kosovës më 4 korrik 2025, ku një i mitur 15-vjeçar nga Mitrovica është parë duke pozuar me një armë zjarri në dorë dhe ka postuar fotografinë në rrjetin social Snapchat. Sipas burimeve të Sinjalit, fotografia është siguruar nga Njësia e Inteligjencës Rajonale, e cila më pas ka alarmuar hetuesit policorë për të verifikuar identitetin e të miturit dhe rrethanat e fotografimit. I dyshuari S. K., 15 vjeçar është shoqëruar në polici bashkë me prindin e tij. Në deklaratën e dhënë, ai ka pohuar se arma nuk ishte e tij, por se ia kishte dhënë një person tjetër i rritur, në ambientet e një lokali privat në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë. Pas kësaj deklarate, janë identifikuar edhe dy persona madhorë, të cilët janë intervistuar. Njëri nga ta është përmendur si pronari i armës, por ai ka mohuar që ka armë apo që ia ka dhënë dikujt për të bërë fotografi. Personi tjetër, pronar i lokalit ku dyshohet se është bërë fotografia, ka pranuar se e njeh të miturin dhe se fotografia është bërë me sfond të lokalit të tij, por ka deklaruar se nuk e ka parë armën asnjëherë. Përkundër hetimeve të zhvilluara, arma nuk është gjetur. Me vendim të Prokurorit Kujdestar, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa të përfshirët janë liruar në procedurë të rregullt.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu