Politikë
Bekim Sali nga Vjena: Zgjerimi i BE-së duhet t'u sjellë përfitime të prekshme qytetarëve
Reklamë e Sponsorizuar
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka marrë pjesë në Konferencën e Vjenës për Ballkanin Perëndimor, ku është ftuar nga ministrja austriake për Evropën, Integrimin dhe Familjen, Claudia Bauer.
Gjatë fjalës së tij mbi perspektivën e rajonit, ministri Sali u shpreh se procesi i zgjerimit duhet domosdoshmërisht të ndjehet nga qytetarët edhe para anëtarësimit zyrtar. Vëmendje e veçantë iu kushtua gjeneratave të reja, duke kërkuar hapësira më të gjera për arsimim, aftësim profesional, praktika pune, shkenca dhe shkëmbime rajonale e evropiane.
“Për të rinjtë tanë, e ardhmja evropiane duhet të nënkuptojë mundësi reale për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre”, u shpreh ndër të tjera Sali.
Duke trajtuar konceptin e integrimit gradual, ai renditi lehtësimin e tregtisë përmes Korsive të Gjelbra, përfshirjen në SEPA dhe bashkëpunimin digjital si dëshmi të qarta të dobisë që afrimi me Bashkimin Evropian sjell për ekonomitë dhe shoqëritë tona. Sipas tij, qasja më e gjerë në tregun e përbashkët, politikat dhe programet e BE-së kërkon standarde të qarta, reforma thelbësore dhe respektim të rreptë të shtetit të së drejtës.
Sali ritheksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt reformave dhe familjes evropiane. Ai bëri thirrje që dinamika e zgjerimit të ruajë drejtësinë dhe parashikueshmërinë, duke siguruar që sukseset e vendeve kandidate të maten përmes parametrave objektivë evropianë.
Në fund të fjalës, ministri Sali shprehu mirënjohjen ndaj shtetit austriak për mikpritjen e këtij samiti dhe për mbështetjen e palëkundur që i jep të ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: