Aktuale
Incident i dhunshëm në Abu Dhabi: Merab Dvalishvili sulmohet nga Usman Nurmagomedov
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e tensionuar ka ndodhur në një hotel në Abu Dhabi, ku ish-kampioni i UFC-së në kategorinë bantamweight, Merab Dvalishvili, ka mbetur me lëndime në fytyrë pas një përleshjeje fizike me yllin e PFL-së, Usman Nurmagomedov, dhe anëtarët e grupit të tij.
Incidenti ndodhi ndërsa Dvalishvili, i shoqëruar nga një mik i tij, ishte duke realizuar një intervistë në prag të eventit të kësaj fundjave, Real American Freestyle (RAF). Sipas përshkrimit të vetë luftëtarit, sulmi ishte i organizuar në mënyrë tinëzare dhe nga prapa.
“Ishte një veprim shumë i ulët. Ishim vetëm unë dhe shoku im kur Nurmagomedov me grupin e tij na u afruan si gjarpërinj nga prapa,” ka rrëfyer Dvalishvili pas përballjes së dhunshme.
Pamjet e publikuara nga Ilia Topuria tregojnë qartë momentin kur Nurmagomedov i afrohet Dvalishvilit dhe e godet me shuplakë, duke shkaktuar menjëherë një përleshje masive mes palëve. Topuria nuk ka kursyer kritikat e ashpra ndaj ekipit të Nurmagomedovëve, duke i cilësuar ata si “frikacakë” dhe duke vënë në pikëpyetje vlerat e tyre për respektin dhe modestinë.
Në një reagim të tij në rrjetet sociale, Topuria pretendoi se Usman Nurmagomedov dhe personat që e shoqëronin janë ndaluar nga autoritetet policore pas këtij incidenti. “Nuk keni treguar as nder, as respekt e as modesti. Jeni thjesht një grup individësh mediokër,” shkroi ndër të tjera Topuria.
Megjithatë, deri në këto momente, pretendimet për ndalimin e Nurmagomedovit nga policia mbeten të pakonfirmuara. Autoritetet e Abu Dhabit dhe zyrtarët e organizatës RAF ende nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimet apo masat e ndërmarra ndaj të përfshirëve në këtë konflikt.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: