Politikë
VLEN mban mbledhje: Partneriteti qeveritar është stabil, mbetemi të përkushtuar ndaj përmbushjes së premtimeve
Reklamë e Sponsorizuar
Kryesia Qendrore e VLEN-it mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën u diskutuan zhvillimet aktuale politike dhe u rikonfirmuan prioritetet për periudhën në vijim.
Në një kumtesë për media pas mbledhjes, nga VLEN thonë se miratimi në Qeveri i propozimit për provimin e jurisprudencës përbën një hap historik, me të cilin për herë të parë parashihet dhënia e provimit edhe në gjuhën shqipe."I dëgjuam studentët dhe u angazhuam që kjo çështje të marrë zgjidhje institucionale",thonë nga VLEN.
"Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e ndonjë partie politike. Ajo është arritje historike dhe rezultat i sakrificës së popullit shqiptar për barazi. Pas më shumë se dy dekadash pritjeje, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i të gjitha bashkësive etnike duhet të garantohet me ligj. Miratimi i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mbetet një nga zotimet tona kryesore. Është absurde të thirresh në Marrëveshjen e Ohrit dhe njëkohësisht të bllokosh avancimin e saj. Përgjegjësia për përmbylljen e këtij procesi u takon të gjitha subjekteve parlamentare që deklarohen në mbështetje të Marrëveshjes së Ohrit",thonë nga VLEN.
Më tej thonë se mbeten të përkushtuar edhe ndaj miratimit të propozimligjit për transformimin e angazhimit me kontrata në marrëdhënie të rregullt pune, përmes të cilit personat që i plotësojnë kushtet do të punësohen pa afat të caktuar.
"Pavarësisht bllokimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nga opozita, ne edhe pa mekanizmin e Balancuesit po dëshmojmë se me VLEN-in dyert e shërbimit publik për shqiptarët janë të hapura. Vendi i punës nuk guxon të jetë mjet për shantazhe politike",thonë nga VLEN.
"Decentralizimi, si një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, mbetet prioriteti ynë. Komunat me shumicë shqiptare tashmë po e ndiejnë mbështetjen financiare përmes projekteve dhe investimeve, pavarësisht se cili subjekt politik i udhëheq".
"Partneriteti qeveritar është stabil. VLEN-i mbetet i përkushtuar ndaj përmbushjes së prioriteteve programore të premtuara para qytetarëve. Në këtë drejtim, vlerësojmë se efikasiteti i përgjithshëm i Qeverisë aktuale duhet të gjykohet përgjatë një mandati të plotë",thonë nga VLEN.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: