Sport
Gerrard e krahason Lamine Yamalin me Messin dhe Ronaldon: Në këtë moshë është më i avancuar se të dy
Reklamë e Sponsorizuar
Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, ka dhënë një vlerësim të jashtëzakonshëm për yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, duke e krahasuar me dy prej futbollistëve më të mëdhenj në histori, Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.
Ish-mesfushori anglez, i cili aktualisht është pa klub, është bazuar edhe në përvojën e tij personale, pasi kishte luajtur kundër të dy yjeve kur ata ishin në fillimet e karrierës.
Në një intervistë për emisionin “Overlap Daily” të Sky Bet, Gerrard ka deklaruar se Yamal është më i avancuar se Messi dhe Ronaldo në të njëjtën moshë.
“Lamine Yamal bën gjëra në fushë që nuk i kam parë kurrë te një djalosh 19-vjeçar. Kam luajtur kundër Messit dhe Cristiano Ronaldos kur ishin të rinj dhe në atë moshë ata luanin shumë më tepër në krahë sesa ai sot.
Mendoj se ai është më i avancuar se ata në të njëjtën moshë. A do të jetë në gjendje t’i mbajë të njëjtat statistika dhe të njëjtin vazhdimësi? Këtë do të duhet ta shohim.
Ndoshta në një fazë të mëvonshme të karrierës do të luajë si qendërsulmues për të arritur numrin e golave që kanë shënuar Messi dhe Ronaldo. Do të duhet kohë për ta kuptuar këtë, por nëse i krahasojmë të tre në moshën 19-vjeçare, mendoj se Yamal është më i avancuar se ata”, deklaroi Gerrard.
Ish-kapiteni i Liverpoolit vlerësoi gjithashtu se talenti i Barcelonës qëndron mbi nivelin e shumë yjeve të tjerë të rinj në futbollin botëror.
“Nëse i shikojmë futbollistët e rinj, ka shumë superyje në mbarë botën, por mendoj se Lamine Yamal është paksa mbi atë nivel.
Sfida më e madhe për të, rrethin e tij, trajnerët dhe njerëzit që kujdesen për të në Barcelonë, është se si ta ruajnë urinë e tij për fitore. Si të sigurohen që ai të vazhdojë të dëshirojë të fitojë trofe me ekipin e tij dhe të arrijë edhe çmime individuale. Për nga talenti dhe potenciali, është mbresëlënës”, shtoi anglezi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: