Politikë
Mickoski refuzon provimin e jurisprudencës plotësisht në shqip: Reagojnë studentët dhe opozita
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur të hënën se provimi i jurisprudencës nuk do të organizohet tërësisht në gjuhën shqipe. Ai sqaroi se pjesa teorike do të mund të zhvillohet në gjuhën amtare të kandidatëve, ndërsa ajo praktike do të mbetet ekskluzivisht në gjuhë maqedonase.
“Nuk do të ketë provim të jurisprudencës 100% në gjuhën shqipe”, u shpreh kreu i ekzekutivit, duke shtuar se ky vendim ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe jo me kalkulime politike. Sipas skemës së propozuar, testimi teorik do të mund të jepet në shqip, turqisht apo anglisht, kurse simulimet për procedurat civile dhe penale do të zhvillohen vetëm në maqedonisht. Ky propozim pritet t'i kalojë qeverisë për shqyrtim, ndërkohë që data e mbledhjes ende nuk është bërë publike.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bekim Sali deklaroi se kjo çështje është drejt rrugës së zgjidhjes dhe se kjo praktikë do të shtrihet edhe në provime të tjera profesionale, duke ia faturuar përgjegjësinë për situatën e krijuar kabinetit të kaluar qeveritar.
Debati ka ngjallur reagime të ashpra politike. Nënkryetari i BDI-së, Arianit Hoxha, ka kritikuar ashpër institucionet për moszbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Koalicioni VLEN i është kundërpërgjigjur duke i bërë thirrje BDI-së që t'i kërkojë llogari Ali Ahmetit për mënyrën se the trajtuar këtë çështje gjatë mandatit të kaluar, ndërsa Lidhja Shqiptare ka vlerësuar se ky propozim e zhvlerëson gjuhën shqipe duke e barazuar me gjuhët e huaja.
Ndërkohë, rreth 400 akademikë të rinj nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe ai “Nënë Tereza” që prej muajit janar kërkojnë që ky provim të mundësohet në tërësi në gjuhën shqipe, duke organizuar tashmë dy protesta. Përfaqësuesi i tyre, Mevlan Ademi, e cilësoi ofertën aktuale si një hap para, por të pamjaftueshëm për një zgjidhje përfundimtare. Studentët kërkojnë baza të qarta ligjore dhe një afat kohor të përcaktuar, ndërkaq kundërshtojnë çfarëdo dërgimi të lëndës në Komisionin e Venecias nga frika e zvarritjeve të mëtejshme.
Kujtojmë se partia ZNAM, si partnere në koalicionin qeverisës, kishte paralajmëruar që më 7 nëntor se do të tërhiqej nga qeveria në rast se provimi në fjalë do të lejohej të mbahej plotësisht në gjuhën shqipe.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: