Sport
“Talent gjigant në fushë, por...” – Analiza e ashpër e Adriatik Dostit për figurën e Xhevat Prekazit
Reklamë e Sponsorizuar
Opinionisti Adriatik Dosti ka publikuar një shkrim reflektues kushtuar ish-futbollistit të njohur Xhevat Prekazi, duke vënë në peshore karrierën e tij të jashtëzakonshme sportive dhe qëndrimet e tij publike ndaj Kosovës, të cilat i ka cilësuar si zhgënjyese.
Në rrëfimin e tij, Dosti sjell në vëmendje sukseset e bujshme të Prekazit gjatë viteve '80, kur u shpall tri herë kampion i Jugosllavisë me Partizanin e Beogradit dhe fitoi Kupën e Jugosllavisë me Hajdukun e Splitit, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë. Ai gjithashtu evokon periudhën kur Prekazi u shndërrua në legjendë te Galatasaray në Turqi, duke fituar dy tituj kampion dhe duke shënuar një supergol ikonik kundër Monacos në Ligën e Kampionëve. Së bashku me Fadil Vokrrin, ai cilësohet si një nga talentet më të mëdhenj shqiptarë të asaj epoke në futbollin jugosllav.
Megjithatë, Dosti e drejton vëmendjen te jeta dhe deklaratat e Prekazit, i cili u lind në Mitrovicë më 1957 dhe u shpërngul herët në Beograd, ku jetoi deri në ndarjen nga jeta në moshën 69-vjeçare. Sipas opinionistit, pavarësisht madhështisë në fushën e blertë, qëndrimet e tij jashtë saj lanë një shije të hidhur.
Në shkrim citohen deklarata të bëra nga vetë Prekazi vite më parë në një intervistë për televizionin serb RTS 1, ku ai shprehej se ndihej i lidhur ngushtë me Beogradin dhe se nuk kishte asnjë lidhje me Kosovën, duke theksuar se familja e tij ndihej më shumë serbe sesa shqiptare dhe se nuk kishte ndërmend të kthehej kurrë në Prishtinë.
Në përfundim, Dosti shpreh habinë dhe pakënaqësinë e tij ndaj mënyrës se si figura e Prekazit po trajtohet nga disa analistë, gazetarë dhe personalitete të sportit në Kosovë pas ndarjes së jo nga jeta, duke kërkuar që të mos anashkalohen qëndrimet e tij të hapura kundër vendit të origjinës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: