Sport
Kombëtarja synon kreun, Shehu dhe Berisha shfaqen të karikuar para sfidës me Finlandën
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesja e Shqipërisë ka hyrë në fazën përgatitore për dy sfidat e fundit në Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë do të matin forcat me Finlandën dhe Bjellorusinë. Në kuadër të kësaj periudhe, mesfushori Julian Shehu dhe portieri Etrit Berisha dolën këtë të hënë para mediave për të ndarë pritshmëritë e tyre.
Gjatë konferencës, mesfushori Julian Shehu vlerësoi evolucionin e lojës së Kombëtares, duke u ndalur te qasja e re më ofensive dhe agresive në fushë, e cila sipas tij ka sjellë edhe frytet e pritura. “Besoj se mënyra se si po luan ekipi tani, me një lojë pak më ofensive dhe pak më agresive përpara, ka dhënë frytet e veta. Është e rëndësishme që ne të ndihemi mirë në fushë, të respektojmë dhe të zbatojmë detyrat që kërkon trajneri. Përderisa rezultatet janë ato që trajneri kërkon, pa dyshim që çdo gjë është në rregull”, u shpreh Shehu.
Duke analizuar përballjen e radhës ndaj finlandezëve, ai theksoi rëndësinë e përqendrimit maksimal dhe ruajtjes së vendit të parë në grup. “Çdo ndeshje ka vështirësinë e vet dhe patjetër që ne duhet të japim maksimumin dhe ta përgatisim atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Presioni është pjesë e lojës, kështu që ne jemi profesionistë dhe duhet të dimë se si ta përballojmë. Duhet të jemi të përqendruar te loja dhe të shkojmë atje për të zhvilluar një ndeshje që të na japë rezultatin maksimal. Objektivi ynë është të qëndrojmë në vendin e parë në grup dhe besoj se deri në fund do t’ia dalim”, deklaroi ai.
Sa i përket hapësirave të tij aktivizuese nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Shehu u tregua pragmatist, duke theksuar se prioritet mbetet grupi dhe jo ambiciet individuale. “Ne, si lojtarë, patjetër që i respektojmë zgjedhjet e trajnerit. Për aq kohë dhe minutazh sa na jepet mundësia, ne duhet të japim maksimumin, sepse në fund të fundit jemi këtu për ekipin kombëtar, nuk jemi këtu për objektivat tona personale. Sa herë që të jemi në fushë, duhet të japim maksimumin”, u shpreh mesfushori.
Nga ana tjetër, gardiani Etrit Berisha ka bërë thirrje për mbështetje masive nga ana e sportdashësve shqiptarë, duke i ftuar ata në seancën e radhës stërvitore që do të jetë e hapur për publikun. Berisha u shpreh se duhet shmangur mendësia e revanshit ndaj Finlandës, duke u fokusuar vetëm te misioni kryesor i skuadrës.
“Jo, nuk do ta quaja revansh. Çdo ndeshje ka historikun e vet dhe ne duhet të fokusohemi te objektivi që kemi. Dua t’i ftoj tifozët që të vijnë të na përkrahin në këtë seancë. Dyert do të jenë të hapura për të gjithë, pasi për ne është shumë e rëndësishme t’i kemi tifozët pranë. Objektivi ynë është ta fitojmë këtë ndeshje dhe të shkojmë përpara, duke ruajtur vendin e parë”, tha portieri.
Duke iu kthyer përballjes së kaluar me finlandezët, Berisha pranoi se një episod fatkeq ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve, por theksoi se grupi e ka lënë pas atë kapitull. “Gjërat që kanë ndodhur nuk mund të kthehen mbrapa. Ishte një moment që ndryshoi edhe rrjedhën e lojës. Pas një gabimi fillon edhe një seri ngjarjesh, pësimi i golit dhe gjithçka tjetër u bë më e vështirë. Mirëpo, besoj se e kemi kaluar atë moment dhe tani duhet të fokusohemi te ndeshjet e radhës. Gjithçka e kemi në dorën tonë”, përfundoi ai, duke shprehur gjithashtu dëshirën që formën e mirë të javëve të fundit ta transferojë edhe te fanulla kuqezi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: