Politikë
Buxheti 2027: Mbi 224 milionë euro për Mbrojtjen, pjesa luanore për investime kapitale
Reklamë e Sponsorizuar
Projektbuxheti për vitin e ardhshëm ka rezervuar një mbështetje të fuqishme financiare për sektorin e sigurisë, ku nga mbi 224 milionë euro të parapara për Ministrinë e Mbrojtjes, një shifër prej mbi 122 milionë eurosh do të shkojë ekskluzivisht për investime kapitale. Fokus kryesor mbetet ngritja e kapaciteteve, pajisja me armatim dhe modernizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Qeveria e Kosovës ka miratuar të hënën projektbuxhetin për vitin 2027, vlera e të cilit kap shifrën e 4.27 miliardë eurove. Plani buxhetor parasheh mbi 1.4 miliard euro për subvencione dhe transfere, ndërsa mbi një miliard euro janë ndarë për secilën nga kategoritë e pagave e shtesave dhe të investimeve kapitale.
Në këtë kuadër, Ministria e Mbrojtjes është pajisur me një fond prej 224 milionë e 168 mijë e 705 eurosh për vitin që po vjen. Nga kjo shumë, 122.4 milionë euro janë caktuar për investime kapitale, kurse 58.7 milionë euro do të mbulojnë pagat dhe shtesat e pjesëtarëve të saj.
Kjo mbështetje financiare synon t'i japë një impuls të fuqishëm procesit të transformimit të FSK-së, duke e shndërruar atë në një forcë moderne, profesionale dhe plotësisht të ndërveprueshme me standardet e NATO-s, të aftë për të përmbushur mandatin e plotë kushtetues dhe ligjor.
Për ekspertët e fushës së sigurisë, buxheti për ushtrinë nuk është kurrë i tepërt, duke pasur parasysh nevojat e vazhdueshme për teknologji ushtarake bashkëkohore. Megjithatë, ata vlerësojnë se investimet e deritanishme po e orientojnë FSK-në drejt një fuqizimi të dukshëm të kapaciteteve të saj.
"Çështjet e pajisjeve me armatim të ri çdo here shkon në vlerësim të nevojave çfarë kërkohen standarde apo luftimet çfarë sjellin ndryshimet edhe koncepteve luftarake, sidomos ka të bëjë me sistemin raketrore dron mbrojtja kundërajrore sistemi i luftës antiblind e deri tek mbrojtja nga lufta kibernetike, mendoj që FSK po i mbushë kapacitete e pritura...", ka deklaruar Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Nga ana tjetër, njohësit e gjeopolitikës theksojnë se Kosova po dëshmon përkushtim serioz ndaj mbrojtjes, duke përmbushur kriteret e përcaktuara nga Aleanca Veri-Atlantike për ndarjen e buxhetit në këtë sektor.
"Janë mbi 2 për qind të BPV po natyrisht që Kosova ka një situatë më komplekse sepse Kosova është duke i ngritur kapacitetet e saja prej fillimit dhe unë konsiderojë edhe më tej jo për të ndërtuar një barrë të re për buxhetin e Kosovës por për të përmbyllur transformimin rrënjësor të Forcës së saj të sigurisë sepse po bëjmë ushtri nga fillimi dhe po bëhet ushtria komfor standardeve të NATO-s...", u theksua nga Dorajet Imeri, profesor i gjeopolitikës dhe çështjeve të sigurisë.
Në fund, ekspertët pajtohen se ky investim buxhetor është një hap i domosdoshëm për të përmbyllur me sukses misionin e ndërtimit të një ushtrie moderne, e cila i përgjigjet plotësisht standardeve dhe kërkesave të NATO-s.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: