Politikë
Komisionet hetimore në Kuvend: Mjete kontrolli apo thjesht spektakël politik?
Reklamë e Sponsorizuar
Gjatë legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës, është aktiv vetëm një komision hetimor parlamentar, i fokusuar te veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e Arlinda Zekajt. Gjatë punës së këtij trupi, është theksuar nevoja që dokumenti përfundimtar të mbështetet ekskluzivisht te faktet dhe të shmangë ndikimet politike.
Megjithatë, duke parë historikun e Kuvendit ndër vite, janë themeluar dhjetëra komisione të tilla për tema nga më të ndryshmet. Pavarësisht kësaj, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se pjesa dërrmuese e tyre kanë dështuar të prodhojnë rezultatet e pritshme.
"Këto komisione nuk duhet të shihen si instrumente politike apo të udhëhiqen nga agjenda partiake, por si mekanizma me interes parësor qytetar dhe institucional. Fatkeqësisht, kemi parë mjaft raste kur ato janë krijuar, por funksionimi i tyre ka dështuar në praktike", ka shpjeguar Melos Kolshi, hulumtues në IKD.
Edhe njohësi i rrethanave politike, Shemsi Jashari, ndan të njëjtin mendim, duke pohuar se nisma të tilla shpesh nuk japin asnjë ndikim real në zgjidhjen e problemeve që trajtojnë.
"Ato shfrytëzohen më shumë për efekte të çastit politik dhe publik për të zbutur ndonjë situatë, sesa për të prodhuar ndonjë fuqi të mirëfilltë ligjore. Madje, kemi pasur raste kur komisionet parlamentare janë bllokuar nga pala që ka qenë në pushtet, e cila ka bojkotuar punën dhe nuk ka lejuar përmbylljen e saj", ka deklaruar Jashari.
Sipas kornizës ligjore në fuqi, detyra e një komisioni hetimor është hartimi i një raporti përfundimtar që i dorëzohet Kuvendit. Nëse ky dokument nxjerr në pah elemente të veprës penale, ai përcillet zyrtarisht në Prokurori për hapa të mëtejshëm hetimorë.
Një nga rastet e rralla kur puna e një komisioni të tillë ka prodhuar pasoja juridike dhe ngritje aktakuze mbetet ai i ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, lidhur me dëbimin e paligjshëm të gjashtë shtetasve turq nga territori i Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: