Kronikë
Platforma “Liria ka Emër” paralajmëron peticion masiv dhe greva pas vendimit të Hagës
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesi i platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli, ka bërë të ditur se janë duke u shqyrtuar hapa konkretë organizativë, përfshirë një peticion dhe një protestë të tipit grevë, si reagim ndaj vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Gjatë një paraqitjeje në emisionin Info Magazine, ai ka trajtuar edhe çështjen e korrespondencës së deritanishme, duke përmendur letrat e adresuara tek eurodeputetët dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian për të njëjtën çështje.
Në këtë kuadër, Tasholli ka zbuluar ekskluzivisht tri nismat e ardhshme që synojnë të ndërmerren në shenjë pakënaqësie dhe sensibilizimi ndaj vendimit të dhënë në Hagë.
Sipas tij, aktiviteti i parë konsiston në nisjen e një peticioni fizik brenda vendit dhe në diasporë, me synimin ambicioz për të mbledhur afro 1 milion firma, të cilat më pas do të dërgohen adresave institucionale në Hagë, Strasburg dhe Bruksel.
Sa i përket masës së dytë, ai ka bërë me dije se është diskutuar me përfaqësues të sindikatave të ndryshme për organizimin e një forme greve, e cila do të përfshijë ndërprerje 10-minutëshe të punës në institucione dhe bllokim të qarkullimit rrugor çdo ditë, deri në marrjen e një vendimi nga ana e Gjykatës së Apelit.
Ndërkaq, nisma e tretë përfshin një fushatë mediatike përmes prodhimit të 40 video-materialeve të ndara në katër seri dhe profile të ndryshme, që do t'i kushtohen vlerave të UÇK-së.
Këto materiale, sipas paralajmërimit, do të sjellin rrëfime dhe qëndrime nga intelektualë, nëna dëshmorësh, si dhe nga figura të njohura publike dhe influencerë, të cilët do të flasin për historinë dhe rëndësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: