Aktuale
Testimi i gjermanëve për pajisjet dimërore: Zbulohet mashtrimi i mjeteve të shkrirjes së akullit në vetura
Reklamë e Sponsorizuar
Klubi prestigjioz gjerman i automobilave, ADAC, ka realizuar një vlerësim të detajuar të pajisjeve të ndryshme dimërore për automjete, duke përfshirë kruajtëset elektrike, ngrohësit portativë dhe mbulesat mbrojtëse për xhamat e parë.
Rezultatet e këtyre testeve kanë nxjerrë në pah se jo çdo produkt e kryen funksionin për të cilin shitet, ndërsa disa prej tyre, në rast përdorimi joadekuat, mund të kthehen në rrezik real për sigurinë e shoferëve.
Sfidë më vete në këtë studim përbërën kruajtëset elektrike të akullit dhe ngrohësit që futen në prizën 12 volt të veturës. Këto mjete, në pamje të parë, duken si zgjidhja ideale për mëngjeset e ngrira të dimrit.
Një nga zhgënjimet kryesore ishte pikërisht kruajtësja elektrike e pajisur me element ngrohës. Teoria thotë se pjesa e nxehtë duhet ta shkrijë akullin duke ia lehtësuar punën shoferit, por realiteti doli të jetë ndryshe.
Ekspertët e ADAC identifikuan një defekt strukturor te pajisja e testuar, ku ngrohej vetëm një segment i shkurtër metalik, i cili nuk kishte kontakt të drejtpërdrejtë me skajin e kruajtjes.
Si pasojë, nxehtësia dështoi të shpërndahej te akulli, duke e bërë pajisjen të paaftë për të shkrirë qoftë edhe një shtresë minimale ngricë në xham.
Ky mjet jo vetëm që nuk e përshpejtoi procedurën e pastrimit të xhamave, por rezultoi krejtësisht jopraktik në kushte reale.
Për më tepër, ADAC lëshoi një alarm për rrezikun e çarjes së xhamit nga ndryshimet e menjëhershme të temperaturës, si dhe rrezikun e mbinxehjes apo tymosjes së materialit nëse pajisja lihet e ndezur mbi ulëse.
Përfundimi i specialistëve gjermanë ishte prerës: blerja e një kruajtëseje të tillë elektrike nuk e arsyeton aspak investimin financiar.
Edhe ngrohësit portativë të veturave nuk arritën të bindin me performancën e tyre. Këto pajisje të vogla që lidhen në prizën 12 volt çedojnë kryesisht për shkak të fuqisë së ulët.
Sipas të dhënave të ADAC, shumica e këtyre ngrohësve funksionojnë me vetëm 150 vat, ndërkohë që një sistem standard dhe i pavarur ngrohjeje në veturë arrin fuqi mes 4,000 dhe 5,000 vat.
Ekspertët shpjeguan se këto pajisje të vogla mund të zhdukin ngricën vetëm në një sipërfaqe shumë të vogël, duke lënë pa shikueshmëri pjesën tjetër të xhamit të parë.
Në krahun tjetër, një nga produktet më të thjeshta doli të jetë ndër më efikasët për stinën e ftohtë: mbulesa mbrojtëse për xhamin e përparmë.
ADAC konfirmoi se mbulesat cilësore parandalojnë me sukses krijimin e akullit, mjaft a i instaluar dhe fiksuar siç duhet në automjet.
Modelet e pajisura me magnet përgjatë skajeve të poshtme tregojnë stabilitet të lartë ndaj erës, ndryshe nga mbulesat e lehta prej kartoni ose plastike që mund të fluturojnë lehtësisht.
Përparësia e një mbulese të mirëfilltë është se ajo parandalon problemin në gjenezë, duke i kursyer kohë shoferit pa pasur nevojë të luftojë me akullin në orët e para të ditës.
Gjatë këtij cikli testimesh, ADAC mori në shqyrtim edhe pajisje të tjera dimërore si mbulesat e ngrohta për ulëse dhe timon, çantat thithëse të lagështisë, si dhe jastëkët ndihmës për nisjen e makinës në borë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: