Aktuale
Jonida Maliqi rrëfen rrugëtimin me djalin e saj: Dani më ka bërë të fortë, përballja e rëndë me psikologen dhe beteja ligjore me ish-bashkëshortin
Reklamë e Sponsorizuar
Këngëtarja e njohur shqiptare, Jonida Maliqi, e cila ishte e ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, ka ndarë sërish detaje prekëse nga jeta e saj personale dhe rritja e djalit të saj, Danit, i cili është diagnostikuar në spektrin e autizmit. Artistja ka folur hapur për sfidat, evoluimin e të birit, por nuk ka lënë pa përmendur as akuzat e forta ndaj psikologes së parë që e trajtoi, si dhe procesin gjyqësor me ish-bashkëshortin e saj.
Duke treguar për ndryshimet dhe përballjet e vështira, Maliqi u shpreh se nuk e kishte imagjinuar kurrë se zotëronte një forcë kaq të madhe shpirtërore. Ajo tregoi se Dani, i cili tashmë është në moshën e adoleshencës, ka kaluar një rrugëtim të bukur me ulje dhe ngritje, duke theksuar se ai ka shfaqur një progres të jashtëzakonshëm falë mbështetjes së pakushtëzuar të familjes, prindërve dhe gjyshërve.
Artisti tregoi se e kishte pranuar që në momentin e parë faktin se Dani ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë, megjithëse pranoi se e ka pasur të vështirë ta bënte publike. Ajo kujtoi periudhën e fundit të vitit 2015, kur vizituan një psikologe e cila, pas vetëm gjysmë ore, u tha se nuk ishin prindër të denjë dhe se djali i tyre nuk do të fliste apo do të socializohej kurrë. Kjo deklaratë, sipas saj, ishte një goditje e rëndë emocionale.
Më pas, artistja tregon se iu drejtua qendrës së Liri Berishës, ku me ndihmën e një ekipi prej pesë mjekësh, situata ndryshoi rrënjësisht dhe sot Dani flet dy gjuhë dhe ndjek shkollën. Duke iu drejtuar psikologes së parë, Anjeza Dishnica, ajo u shpreh me tone të ashpra se një mjek nuk duhet t'i komunikojë kurrë në atë mënyrë një prindi, duke e quajtur qasjen e saj si mënyrën më bastarde të mundshme.
Në lidhje me jetën e saj private dhe ndarjen, Maliqi theksoi se fillimisht gjithçka ishte rënë dakord me marrëveshje, por vendimi i ish-bashkëshortit për ta çuar çështjen në gjykatë dy vjet më parë e bëri atë publike në media. Ajo shtoi se i është drejtuar drejtësisë për çështje të ndryshme dhe se tashmë ia ka lënë gjithçka në dorë ligjit, duke theksuar se djali i saj mbetet gjithmonë epiqendra e jetës së saj dhe se komunikimi për të nuk ka munguar kurrë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: