Sport
Zelenskyy: Rusia përdori armatim korean-verior për të sulmuar infrastrukturën energjetike të Kievit
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i shtetit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë të ditur se forcat ruse kanë përdorur raketa të prodhuara në Korenë e Veriut gjatë një sulmi të fuqishëm të ndërmarrë gjatë natës ndaj një impianti jetik të energjisë. Në këtë kuadër, ai u ka bërë edhe një herë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të përshpejtojnë dërgimin e sistemeve të përgjimit ajror.
Në një reagim të publikuar në platformat sociale, Zelenskyy theksoi se ekspertët po kryejnë analizat teknike në zonat e goditura nga predhat balistike. Sipas të dhënave paraprake, në një prej nyjave kryesore të energjisë që pësoi dëmtime, Moska ka shfrytëzuar raketa të tipit KN-23, të cilat janë siguruar nga Pheniani.
Presidenti ukrainas bëri të meur vesh se gjatë kësaj fushate sulmesh, Rusia lëshoi gjithsej 36 raketa balistike në drejtim të kryeqytetit dhe zonave përreth, prej të cilave vetëm katër arritën të neutralizoheshin nga mbrojtja ajrore.
Sipas të dhënave nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, KN-23 është një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi që arrin deri në rreth 690 kilometra. Ajo u testua për herë të parë në maj të vitit 2019 dhe shfaq ngjashmëri të mëdha vizuale me raketën ruse Iskander-M.
Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës kishte paralajmëruar që në prill se ky model arme është përdorur edhe në të kaluarën, duke e cilësuar atë si një sfidë të jashtëzakonshme për sistemet e mbrojtjes ajrore.
Aleanca mes Rusisë dhe Koresë së Veriut është forcuar ndjeshëm, ku kjo e fundit dyshohet se ka dislokuar mbi 16,000 ushtarë për të ndihmuar Moskën që nga tetori i vitit 2024, krahas furnizimeve me municione. Kujtojmë se në qershor të atij viti, Vladimir Putin dhe Kim Jong-un firmosën një Traktat të Partneritetit Strategjik Gjithëpërfshirës.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, u shpreh se goditjet e fundit kishin në shënjestër infrastrukturën e ndjeshme elektrike, ndërsa rusët po intensifikojnë sulmet me afrimin e stinës së ftohtë. Qëllimi i Moskës mbetet lënia e miliona qytetarëve pa dritë, ngrohje dhe ujë gjatë dimrit, përmes një fushate të mirëmenduar për të thyer rezistencën e popullit ukrainas.
Zelenskyy vlerësoi gjithashtu se këto sulme mund të jenë pjesë e presionit të Kremlinit për të ndikuar në pozicionin negociues të Kievit para bisedimeve trepalëshe të paralajmëruara mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Abu Dhabi.
Autoritetet vendase dhe Shërbimi Shtetëror i Emergjencave konfirmuan se sulmet e natës në rajonin e Kievit plagosën të paktën gjashtë persona, përfshirë një të mitur, duke shkaktuar dëme materiale në një urë dhe në disa impiante të energjisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: