Aktuale
Wikipedia ndryshon biografinë e Hashim Thaçit: Hiqet cilësimi kontrovers nga hyrja e faqes
Reklamë e Sponsorizuar
Platforma enciklopedike Wikipedia ka ndërmarrë një ndryshim në faqen e dedikuar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke larguar nga paragrafi hyrës përshkrimin “kriminel lufte i dënuar”. Ky formulim, i cili ishte vendosur pas zhvillimeve në procesin gjyqësor në Hagë, nuk është më pjesë e prezantimit fillestar të biografisë së tij.
Në versionin e mëparshëm, biografia e Thaçit niste me identifikimin e tij si “politikan kosovar dhe kriminel lufte i dënuar”. Tashmë, fjalia hyrëse është rishikuar dhe ai prezantohet thjesht si “politikan kosovar”, pas së cilës vijon renditja e detyrave të larta shtetërore që ka mbajtur ndër vite, si kryeministër, ministër i Jashtëm, zëvendëskryeministër dhe president i vendit.
Megjithatë, detajet lidhur me procesin gjyqësor nuk janë fshirë tërësisht nga faqja. Ato mbeten pjesë e biografisë, por janë sistemuar në seksionet pasuese të tekstit, ku shpjegohet rrjedha e çështjes ligjore, duke shmangur kështu përdorimin e etiketimeve të tilla në hapjen e artikullit.
Ky intervenim në faqen e Wikipedia-s vjen pas një vale reagimesh dhe kundërshtimesh të shumta në opinionin publik kosovar. Profesori i UBT-së, Blerton Abazi, i cili ishte ndër zërat që e kishte ngritur shqetësimin për këtë çështje, njoftoi përmes një postimi se ndryshimi është reflektuar në faqen online.
“Pjesa ballore e tekstit u ndryshua, ndërsa poshtë është shtuar shpjegimi i gjithë procesit. Nuk është më e mira, por megjithatë në hapje të faqes nuk figuron teksti i mëparshëm”, deklaroi Abazi. Ai shprehu falënderime për të gjithë ata që kontribuan në këtë drejtim, duke vlerësuar veçanërisht angazhimin e “grupit të Wikipedia”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: