Sport
De la Fuente paralajmëron ndryshime ndaj Kroacisë
Reklamë e Sponsorizuar
Luis de la Fuente synon ta vazhdojë serinë prej 40 ndeshjesh zyrtare pa humbje, teksa Spanja do të përballet me Kroacinë në “Sánchez Pizjuán”.
“La Roja” vjen pas fitores ndaj Anglisë në “Wembley”, ndërsa Kroacia e ka nisur garën me fitore ndaj Republikës Çeke.
Para ndeshjes, De la Fuente fillimisht përgëzoi Kombëtaren U-20 të femrave, ndërsa më pas foli për sfidën ndaj kroatëve.
“Kemi një ekip shumë të gjithanshëm, me një ide të qartë, me identitetin e vet. Forca e këtij ekipi janë shumëllojshmëria e mënyrës së lojës dhe fakti që përpiqemi të nxjerrim maksimumin nga futbollistët. Duam të jemi të fortë në mbrojtje dhe të kemi efikasitet në sulm, që është idealja”, deklaroi ai.
Sa i përket mundësisë për rotacion, trajneri spanjoll pranoi se ngarkesa e madhe e ndeshjeve dhe udhëtimeve e bën të nevojshme freskimin e ekipit.
“Kërkojmë të kemi një ekip të ekuilibruar. Me këtë format, me shumë orë udhëtim dhe vetëm një stërvitje, është e arsyeshme që të ketë disa ndryshime. Të 26 lojtarët mund të luajnë në çdo pozicion dhe të sjellin energji, sepse pas katër ditësh kemi një tjetër ndeshje”, u shpreh De la Fuente.
Ai e konsideron shumë të ngjeshur kalendarin me katër ndeshje brenda 11 ditësh.
“Është tepër kërkuese të luash katër ndeshje në 11 ditë, por kemi dëshmuar me Ericun se mund të luante ndeshjen e tretë apo të katërt dhe të rikuperohej pa tension apo stres. Nuk do ta ndryshojmë të gjithë ekipin, duhet ta ruajmë bllokun, por ka lojtarë që do të sjellin freski”.
Për Eric Garcían, trajneri sqaroi se në një fazë tjetër të garës vendimi mund të kishte qenë ndryshe.
“Në një fazë finale do të kishte qëndruar, por tani nuk ia vlente dhe ai e kuptoi në mënyrë perfekte vendimin”.
Trajneri spanjoll foli me shumë vlerësim edhe për mesfushorin e Barcelonës, Fermín López.
“Është në një formë fantastike, ashtu si Dani Olmo. Mund të luajë si mesfushor ofensiv, ka vitalitet, energji, shumë klas dhe goditje. Është një top-lojtar në Evropë dhe në botë dhe përshtatet në mënyrë perfekte me këtë ide të lojës”, tha De la Fuente.
Ai konfirmoi se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë, por theksoi se rotacionet janë të domosdoshme.
“Të gjithë janë mirë, por duhet ta freskojmë ekipin. Edhe ata që presin kanë nivel të madh”.
De la Fuente theksoi se lojtarët që aktivizohen në pjesën e dytë kanë dhënë një kontribut të madh në aspektin ofensiv.
“Lojtarët që hyjnë në pjesën e dytë janë ata që kanë shënuar më shumë gola. Duam të japim ndjesinë e një ekipi. Kushdo që luan është po aq i rëndësishëm. Rotacionet do të bëhen sepse të gjithë kanë të drejtë të luajnë dhe të gjithë do të kishin vend në dy formacione titullare”.
“Do të doja që Topin e Artë ta fitonte një spanjoll”
I pyetur për Topin e Artë, De la Fuente nuk e fshehu dëshirën e tij që trofeu t’i shkojë një futbollisti spanjoll.
“Në aspektin teknik, do të doja që ta fitonte një spanjoll. Për mua është një njohje dhe krenari e madhe të jesh i nominuar. Do të doja ta fitoja”, tha ai.
Më pas, ai vlerësoi edhe nëntë futbollistët spanjollë të nominuar.
“Historia i ka dhënë shumë Topa të Artë futbollit spanjoll. Më dha shumë gëzim kur e fitoi Rodri dhe cilido prej nëntë të nominuarve do të më gëzonte shumë. Për mua, ata janë më të mirët e momentit në pozicionet e tyre”.
Në fund, De la Fuente foli për kundërshtarin e radhës dhe paralajmëroi se Spanja duhet të jetë edhe më e mirë se në fitoren ndaj Anglisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: