Botë
Industria e rekrutimit për luftë: Si u shndërruan ushtarët në 'mall' fitimprurës në Rusi
Reklamë e Sponsorizuar
Rasti i Andrei Ilinbayev është kthyer në një dëshmi rrëqethëse të mënyrës sesi funksionon makineria e rekrutimit në Rusi. Herën e fundit kur ai kontaktoi familjen, më 3 tetor, Ilinbayev pohoi se kishte kaluar kontrollet mjekësore dhe po përgatitej për frontin në Ukrainë. Që nga ai çast, ai u shkëput plotësisht nga kontaktet, derisa fqinjët njoftuan familjen se ai ishte regjistruar për shërbim ushtarak në Ufa, kryeqendra e rajonit të Bashkortostanit.
Ajo që e bën këtë rast alarmant është gjendja shëndetësore e Ilinbayevit. Sipas të afërmve, ai vuan nga një sëmundje e rëndë mendore që nga fëmijëria dhe kërkonte përkujdesje të vazhdueshme, pasi jetonte me nënën e tij që vuan nga demenca. Për familjarët, është e paimagjinueshme se si një person në gjendje të tillë ka mundur të nënshkruajë një kontratë ushtarake, duke qenë se ai nuk i kupton pasojat e këtij veprimi. “Mendova se po bënte shaka kur tha se po kalonte kontrollet mjekësore. Si mund ta pranonin në ushtri? Ai është tejet naiv”, shprehet një e afërme e tij, e identifikuar si Marina.
Ky rast nuk është i izoluar, por pasqyron një fenomen të gjerë të kostove njerëzore të sistemit rus të mobilizimit. Për të mbushur radhët e ushtrisë, e cila ka pësuar humbje të mëdha me rreth 1.5 milionë të vdekur ose të plagosur sipas vlerësimeve perëndimore, autoritetet po mbështeten gjithnjë e më shumë te ndërmjetësit privatë dhe rekrutuesit me pagesë. Këta të fundit stimulohen financiarisht për çdo person që bindin të nënshkruajë kontratë, duke fituar shuma që shkojnë deri në 1.2 milion rubla (rreth 15.300 dollarë) për rekrut, një shumë kjo shumëfish më e lartë se paga mesatare mujore në Rusi.
Sistemi është shndërruar në një industri të mirëfilltë, ku qeveritë rajonale shpërndajnë fonde të majme për agjentë dhe nënkontraktorë. Përllogaritjet tregojnë se që nga fundi i vitit 2024, janë shpenzuar të paktën 8 miliardë rubla (98 milionë dollarë) për këto shpërblime, ndonëse shifra reale dyshohet të jetë shumë më e lartë për shkak të pagesave sekrete. Qytete si Nizhni Tagil apo Penza kanë rritur ndjeshëm buxhetet për këtë qëllim, duke nxitur praktika që shpesh shkelin rregullat shëndetësore për shërbimin ushtarak.
Kjo ethe për rekrutime ka ngritur shqetësime serioze te mbrojtësit e të drejtave të njeriut, të cilët paralajmërojnë se individët më të cenueshëm të shoqërisë po kthehen në objektiva të këtij biznesi. Edhe pse në disa raste është kërkuar ndërprerja e bonuseve me argumentin se ato po stimulojnë krimin dhe rekrutimin e personave të papërshtatshëm shëndetësorë, autoritetet lokale vijojnë t'i mbrojnë këto praktika si të nevojshme për nevojat e luftës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: