Sport
Zyra Ovale shpallet monument kombëtar: Urdhri i ri i Trump kufizon ndërhyrjet e presidentëve të ardhshëm
Reklamë e Sponsorizuar
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zyrtarizuar një dekret të ri ekzekutiv përmes të cilit synon t'u ndalojë udhëheqësve të ardhshëm të Uashingtonit kryerjen e ndryshimeve të caktuara në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Ish-magnati i njohur i pasurive të paluajtshme ka transformuar në mënyrë rrënjësore pamjen e ambientit zyrtar të punës gjatë mandatit të tij të dytë, duke integruar veçanërisht detaje të shumta të praruara me ar.
“Po e bëjmë monument kombëtar dhe nuk do të lejohet të preket nga askush, të shkatërrohet, të shembet, me qëllim që të ndërtohet diçka në një formë paksa të ndryshme”, u deklaroi Trump gazetarëve të enjten.
Vendimi vjen disa muaj pasi Trump ndërmori shembjen e të gjithë Krahut Lindor të rezidencës presidenciale, me planin për ta kthyer atë hapësirë në një sallë të re vallëzimi — një projekt ky që përballoi pengesa ligjore përpara se të merrte miratimin nga Kongresi i SHBA-së.
Sipas rregullave aktuale, krerët e shtetit amerikan kanë kompetenca për të bërë përshtatje të caktuara në Shtëpinë e Bardhë, por projektet infrastrukturore të përmasave të mëdha kërkojnë dritën e gjelbër të Kongresit. Urdhri ekzekutiv i nënshkruar të enjten e ngre Zyrën Ovale dhe disa nga ambientet përreth saj në statusin e monumentit kombëtar.
Në tekstin e dokumentit thuhet se dekreti nuk “e kufizon autoritetin e Presidentit për të ridekoruar monumentin, për të zgjedhur mobiljet ose për të bërë modifikime të zakonshme operative dhe të sigurisë që nuk dëmtojnë ndjeshëm strukturën historike ose karakterin arkitektonik të monumentit”.
“Na pëlqen Zyra Ovale dhe është një simbol, si vetë Shtëpia e Bardhë. Është një simbol i vendit tonë dhe i madhështisë së vendit tonë”, theksoi Trump, duke pretenduar se udhëheqësit botërorë që e kanë vizituar gjatë muajve të fundit e kanë përgëzuar për ndryshimet dekorative.
Trump shtoi se përpara ndërhyrjeve të tij, Shtëpia e Bardhë dhe Zyra Ovale kishin nevojë urgjente për riparime sepse ishin “të dëmtuara rëndë”, duke përshkruar xhama të thyer, krisje muresh dhe gurë të dëmtuar.
Megjithatë, një pjesë e madhe e modifikimeve të bëra ishin vizuale dhe dekorative, përfshirë vendosjen e një pllake të madhe prej ari ku shkruhet “Zyra Ovale” në hyrje, shtrimin e Kopshtit të Trëndafilave si dhe ndërtimin e një piste të re helikopterësh. Trump nënvizoi se ky urdhër do ta bëjë “të pamundur që dikush të shkatërrojë këtë hapësirë të jashtëzakonshme”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: