Aktuale
Modernizimi i FSK-së: Hapat e fundit drejt plotësimit të kapaciteteve ushtarake deri në vitin 2028
Reklamë e Sponsorizuar
Viti 2028 do të shënojë kurorëzimin e një prej nismave më strategjike për sigurinë e Kosovës, duke përmbyllur tranzicionin dhjetëvjeçar të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri me kapacitete të plota operacionale.
Derisa ky afat të arrihet, FSK-ja synon të jetë plotësisht e përgatitur për të ushtruar të gjitha kompetencat e saj ligjore dhe kushtetuese, duke u shndërruar në një forcë bashkëkohore, profesionale dhe të aftë për të garantuar mbrojtjen e vendit.
Duke qenë tashmë në tri vitet e fundit të këtij orari të përcaktuar, vëmendja është zhvendosur te ngritja e mëtejshme e potencialit ushtarak, sigurimi i armatimit dhe teknologjisë së fundit, si dhe zgjerimi i trupave të saj.
Ky evolucion po merr formë të prekshme në terren përmes futjes në përdorim të mjeteve të reja ushtarake.
Së fundmi, në bazat e FSK-së janë parkuar një flotë kamionësh ushtarakë të prodhimit gjerman, të cilët i shtrohen arsenalit ekzistues ku përfshihen dronë, fluturake pa pilot dhe armatim tjetër i sofistikuar.
Krahas modernizimit të pajisjeve, po shënohet rritje edhe e burimeve njerëzore. Gjatë javës së kaluar, mbi 500 ushtarë të rinj i janë bashkuar radhëve të forcës, pasi kanë dhënë betimin solemn për t'i shërbyer atdheut.
Ndërkaq, ish-pjesëtarë të Forcës që sot veprojnë si anëtarë të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes vlerësojnë se ky proces zhvillimi po ecën në rrugën e duhur.
"Sot jemi në fazën më kritike, kur them më kritike ka kosto më të lartë, po ka edhe pajisje më specifike, andaj FSK është dashur të ecë sipas procedurave të parapara, me qëllim që sot të pritet të vijnë javelina, të pritet të jenë radarët, të pritet të jenë disa pajisje që janë më specifike, por edhe janë më të shtrenjta dhe kërkojnë më shumë angazhim", ka deklaruar Ilir Qeriqi, anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes nga radhët e LVV-së.
Nga ana e tij, deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, thekson se faza e modernizimit mbetet e hapur, pasi një pjesë e pajisjeve të kontraktuara pritet të dorëzohen në hapat vijues.
"Po besoj dhe mendoj se është mirë, por që do ta shohim në vijim, sepse janë premtuar disa pajisje që janë planifikuar shumë më herët dhe po besoj se edhe ato do të jenë pjesë e Ushtrisë së Kosovës dhe të plotësohen të gjitha ato premtime e kritere që i kemi bërë bashkërisht me partnerët tanë", u shpreh Rrahman Rama, anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes nga PDK.
Përfaqësuesi i LDK-së në këtë komision, Fadil Hadergjonaj, vlerëson se përmbushja e detyrave të mbetura është çelësi që tranzicioni të mbyllet brenda afatit të caktuar.
"FSK-ja është në proces të përmbushjes së këtyre obligimeve dhe besojmë fort që të arrijmë që viti 2028 të përmbushë planin e tranzicionit dhe të jetë e gatshme të shpallë kapacitetet e plota operacionale dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë me Kushtetutë", tha Fadil Hadergjonaj, anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes nga LDK.
Sot, FSK-ja nuk paraqitet më thjesht si një strukturë në fazë ndërtimi, por edhe si një kontribuese në nismat ndërkombëtare për paqe dhe siguri. Përfshirja e saj në misionin ndërkombëtar të stabilizimit, siç është ai në Gaza, krah vendeve aleate, dëshmon një hap tjetër drejt zgjerimit të rolit të saj përtej kufijve shtetërorë të Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: