Sport
Raporti i ZKA-së: Nevojë urgjente për ndërhyrje dhe siguri më të lartë në Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve
Reklamë e Sponsorizuar
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë publike gjetjet e raportit të auditimit të teknologjisë së informacionit për Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (RBK). Ky sistem paraqet një shtyllë kyçe të infrastrukturës shtetërore për administrimin, regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave të sipërmarrjeve. Përmes kësaj platforme, e cila është e lidhur drejtpërdrejt edhe me portalin e-Kosova, mundësohet hapja, modifikimi apo mbyllja e bizneseve, duke kontribuar kështu në zhvillimin e shërbimeve digjitale për qytetarët.
Ndonëse gjetjet dëshmojnë se platforma i përgjigjet nevojave kryesore të punës, auditimi vë në pah mangësi të dukshme në drejtim të automatizimit të procedurave, kontrolleve të brendshme të aplikacionit dhe mbrojtjes së të dhënave. Sfidat e identifikuara kërkojnë përmirësime të menjëhershme për të rritur efikasitetin operativ.
Në segmentin e kontrolleve hyrëse, sistemi çedon në sigurimin e një validimi plotësisht automatik të informacioneve dhe në respektimin e plotë të standardeve ligjore e afariste. Mungesa e mekanizmave automatikë, siç janë kriteret për verifikimin e unicitetit të emrit të një biznesi, detyron stafin të kryejë verifikime manuale, gjë që ngadalëson shërbimet dhe ul shkallën e efikasitetit.
Sa i takon kontrolleve dalëse, procesi i auditimit ka evidentuar kufizime të theksuara në gjenerimin e raporteve, analizave dhe statistikave, si dhe te opsionet për ndreqjen e lëndëve. Njëkohësisht, procedurat e regjistrimit, ndryshimit apo çregjistrimit nuk janë të digjitalizuara në tërësi, duke u mbështetur ende te dokumentacioni i printuar dhe veprimet manuale si pasojë e pengesave ligjore dhe mungesës së integrimeve ndërinstitucionale.
Në aspektin e sigurisë kibernetike, pavarësisht pranisë së masave teknike për ruajtjen e kopjeve rezervë dhe menaxhimin e ndryshimeve, institucioni ka konstatuar mungesë të rregulloreve dhe procedurave të mirëfillta për vazhdimësinë e shërbimeve. Dobësitë në administrimin e fjalëkalimeve, ndarjen e përgjegjësive kritike dhe protokollet e rimëkëmbjes pas fatkeqësive përbëjnë rrezik potencial për sigurinë e sistemit.
Duke komentuar gjetjet e këtij raporti, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi kontributin që ky sistem ka dhënë në unifikimin e proceseve, qendërzimin e të dhënave dhe thjeshtimin e komunikimit mes ARBK-së, komunave dhe bizneseve. Megjithatë, ajo shtoi se kontrollet aktuale nuk garantojnë shkallën e kërkuar të automatizimit, saktësisë, raportimit dhe sigurisë.
Për të adresuar sfidat e konstatuara dhe për të ngritur funksionalitetin e platformës në një nivel më të lartë, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka drejtuar gjithsej 16 rekomandime Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, respektivisht Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) si institucion përgjegjës për administrimin e sistemit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: