Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Valë dënimesh në Britani: Katër shtetas shqiptarë përfundojnë pas hekurave për grabitje banesash në Londër

Redaksia Lajmetereja • 03-11-2026 19:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Valë dënimesh në Britani: Katër shtetas shqiptarë përfundojnë pas hekurave për grabitje banesash në Londër
Një grup prej katër shtetasish shqiptarë është dënuar me burgim nga drejtësia britanike, pasi u shpallën fajtorë për një seri vjedhjesh të kryera në banesa të ndryshme në kryeqytetin anglez, duke marrë në shënjestër kryesisht familjet e komunitetit të Azisë Jugore. Sipas të dhëna nga Policia Metropolitane, autorët kishin grabitur stoli ari, bizhuteri dhe sende me vlerë të lartë, ndërsa zbardhja e krimeve u bë e mundur falë gjurmëve forenzike, kamerave të sigurisë dhe analizës së detajuar të lëvizjeve me transportin publik. Ndër personat e dënuar janë Çlirim Ferizi, 26 vjeç, dhe Oresti Saliaj, 40 vjeç. Gjykata dha për Ferizin dënimin me dy vite burg, ndërsa Saliaj u dënua me tre vite e gjashtë muaj heqje lirie. Hetimet vërtetuan se të dy kishin kryer disa sulme në zona të ndryshme londineze, ku krahas sendeve të tjera u vodh edhe një orë luksoze e markës Rolex me vlerë 7 mijë paund, si dhe një unazë antike. Një rol kyç në mbledhjen e provave luajti përdorimi i kartave të udhëtimit Oyster, përmes të cilave policia arriti të rikonstruitonte itinerarin e dy autorëve dhe t'i lidhte ata në mënyrë të drejtpërdrejtë me vendet e ngjarjeve. Kamerat e sigurisë gjithashtu kishin kapur çdo lëvizje të tyre para dhe pas ndërhyrjes në ambientet e banimit. Në të njëjtën linjë hetimesh, autoritetet dënuan edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, Hetaj Dionis, 35 vjeç, dhe Arben Cuka, 31 vjeç, të cilët morën pjesë në vjedhje shtëpish në zonën e Hayes, duke u dënuar së bashku me pesë vite burg. Po ashtu, në një çështje tjetër të lidhur me një rrjet kriminal që operonte në rajonin e Londrës, u dënua me tre vite e nëntë muaj burg edhe Patrick Doherty. Duke komentuar operacionin, Rreshteri i Detektivëve Ross Smith, udhëheqës i hetimeve pranë Policisë Metropolitane, u shpreh: “Këta kriminelë shënjestruan qëllimisht familjet brenda banesave të tyre, duke u shkaktuar viktimave shqetësim emocional dhe frikë. Ky hetim bashkoi një sërë provash, përfshirë të dhënat e kartave Oyster, të cilat forcuan çështjen dhe ndihmuan në krijimin e një tabloje të qartë provuese, duke i vendosur të dy autorët në vendngjarjen e secilës vjedhje. Ne e dimë se vjedhjet në banesa kanë një ndikim afatgjatë te viktimat dhe jemi të përkushtuar që të ndjekim autorët dhe t’i çojmë ata përpara drejtësisë. Qasja jonë po jep rezultate, pasi vjedhjet në banesa kanë rënë me 6% në të gjithë Londrën gjatë vitit të fundit, duke dëshmuar ndikimin e shtimit të patrullimeve dhe masave të synuara policore.” Më 30 janar, Saliaj dhe një bashkëpunëtor i paidentifikuar hynë me dhunë në një pronë në Oakleigh Park North, në zonën e Barnet, ku arritën të grabisnin një orë Rolex prej 7,000 paundësh, si dhe çanta e bizhuteri të tjera të shtrenjta. Grupet e ekspertëve të forenzikës dhe detektivët dolën menjëherë në terren për të siguruar pamjet filmike, për të marrë dëshmi dhe për të mbledhur prova ADN-je, duke hapur rrugën e procedimit penal. Analiza e mëvonshme e kamerave zbuloi se autorët kishin vëzhguar objektin për orë të tëra para sulmit, duke mbajtur nën vëzhgim pronaren dhe lëvizjet e saj të përditshme. Më 27 shkurt, Ferizi dhe Saliaj përsëritën skemën duke u futur me forcë në një tjetër shtëpi në Shenley Avenue, në Ruislip, nga ku morën sende të vlefshme. Hetuesit shqyrtuan imtësisht çdo sekuencë të kamerave të sigurisë për të gjurmuar hapat e tyre. Pamjet konfirmuan se dyshja zbriti në stacionin e Ruislip dhe mori një autobus për t'u afruar afër vendit të ngjarjes, ku më pas u filmuan duke thyer hyrjen e shtëpisë dhe duke u larguar shpejt me një çantë të mbushur.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar