Politikë
Brukseli ia kujton Serbisë nevojën për zbatimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pas bisedës Vuçiq-Putin
Reklamë e Sponsorizuar
Një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, Komisioni Evropian ia ka kujtuar Beogradit se duhet t'i përshatë më shumë politikat e tij me ato të Bashkimit Evropian, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
“Si vend kandidat, nga Serbia pritet që politikat e saj t'i harmonizojë me objektivat e BE-së, përfshirë politikën energjetike dhe atë të jashtme, dhe të jetë një partnere e besueshme që ndjek të njëjtin drejtim strategjik”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.
Ai tha se qëndrimi i BE-së ndaj marrëdhënieve të vendeve kandidate me Rusinë është “gjithmonë plotësisht i qartë”, shkruan REL.
“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen sikur gjithçka të ishte si më parë me regjimin e Putinit, dhe kjo në hijen e luftës agresore, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”,tha Mercier.
Deklaratat e tij pasuan bisedën telefonike të 26 shtatorit mes Vuçiqit dhe Putinit.
Biseda u zhvillua një ditë para se Vuçiqi të jepte dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, pasi është bartës i listës së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) për postin e kryeministrit në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit.
Pas bisedës me Putinin, Vuçiq tha se beson se marrëveshja për furnizimin e Serbisë me gaz rus do të zgjatet.
Marrëveshja e tanishme afatshkurtër skadon më 30 shtator.
Serbia e importon nga Rusia më shumë se 80 për qind të gazit që konsumon.
Beogradi nuk ka arritur marrëveshje afatgjatë për furnizimin me gaz që nga skadimi i kontratës së mëparshme trevjeçare, në verën e vitit 2025. Që atëherë, marrëveshjet me Moskën janë zgjatur për periudha të shkurtra. Marrëveshja e tanishme u zgjat në qershor për tre muaj.
Komisioni Evropian tha se është në dijeni të bisedës mes Vuçiqit dhe Putinit.
Duke iu referuar deklaratës së Vuçiqit se presidenti i ardhshëm i Serbisë do të duhet të kujdeset për interesat e vendit dhe ta ruajnë një baraspeshë në raport me aktorët e rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, Mercier rikujtoi detyrimet që Serbia i ka si vend kandidat për anëtarësim në BE.
Sipas tij, vendimi i Serbisë për të aplikuar për anëtarësim nënkupton zotimin për t'i harmonizuar politikat e saj me BE-në, përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë.
“Përputhshmëria e Serbisë me Politikën tonë të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë vazhdon të jetë dukshëm më e ulët sesa te vendet e tjera kandidate në Ballkanin Perëndimor”, tha Mercier.
Ai shtoi se Serbia duhet, si prioritet, t'i intensifikojë përpjekjet për një nivel “më të qëndrueshëm dhe dukshëm më të lartë” të harmonizimit me politikën e BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
“Duam të jemi në gjendje të llogarisim në Serbinë si një partnere të besueshme”, tha ai.
Komisioni Evropian tha se BE-ja po e rrit mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë energjetike, me synim uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit.
Sipas Mercier, kjo do t'u mundësonte vendeve të rajonit integrim më të mirë të rrjeteve energjetike dhe qasje në energji nga burime të ndryshme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: